Një alarm për bombë i ardhur me mesazh në redaksinë e televizionit “Report Tv” të Carlo Bollinos, vuri në lëvizje forcat policore gjatë ditës së sotme.
Ka qënë një gazetar i kësaj redaksie ai që ka njoftur policinë së në ambjentet e redaksisë mund të ketë një sasi me lëndë eksplozive, kjo sipas tij, sepse atij i kishte mbërritur një sms kërcënuese nga një shtetas.
Policia e shtetit njofton se “më datë 23.08.2016, rreth orës 13:25, në numrin e emergjencave 112, ka njoftuar një gazetar i televizionit Report TV, se në ambjentet e Report TV, mund të ketë një sasi me lendë eksplozive, pasi i kanë dërguar një mesazh kërcënues”.
Pas kontrollit të ambienteve të Report Tv nuk është gjetur lëndë eksplozive. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit Shkëlqim Tarja, si autor i dyshuar i këtij kërcënimi.
Grupi hetimor po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij incidenti.