Sport

Bojkoti i Kategorisë Superiore, reagon FIFA dhe UEFA


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:17 - 05/10/20 |
Al Do

Kategoria Superiore e kampionatit shqiptar të futbollit ndodhet ende në bojkot pas përplasjes së klubeve të përfaqësuara nga Liga Profesioniste me qeverinë.

Për këtë bojkot ka reaguar së fundi FIFA dhe UEFA përmes një letre të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku.

Dy institucionet më të rëndësishme të futbollit shkruajnë se inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirës, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet dhe më konkretisht kërkesat e klubeve të futbollit.

Gjithashtu, FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në që të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që bojkoti të marrë fund.

Ato shprehin gjithashtu mbështetjen e tyre për përpjekjet e FSHF në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit.

Letra e plotë

“I dashur Sekretar i Përgjithshëm,

Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.

Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.

Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare (në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse) nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COVID-19. Këto sfida kërkuan – dhe vazhdojnë të kërkojnë – një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.

FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme. Në këto kohë të vështira, fuqia e futbollit për të sjellë gëzim, frymëzim dhe shpresë për njerëzit duhet të mbështetet plotësisht.

Së fundmi, ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i dhënë një vlerësim të veçantë sukseseve të fundit të FSHF-së në fusha shumë të rëndësishme si zhvillimi i futbollit të fëmijëve, infrastruktura, futbolli i femrave, zhvillimi teknik dhe menaxhimit të mirë.

Ne shpresojmë të punojmë ngushtësisht me ju për të mbështetur edhe më tej zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Ju mund të mbështeteni në mbështetjen tonë absolute për përpjekjet tuaja.

Ne qëndrojmë në dispozicionin tuaj të plotë nëse keni nevojë për ndonjë ndihmë të mëtejshme./ Opinion.al

Pas