Bota

Blinken: NATO nuk synon konflikt, por është e gatshme për të


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:00 - 04/03/22 |
Opi Nion

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar të premten në Bruksel – para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s – se ndonëse aleanca nuk “synon konflikt” është “e gatshme” për të dhe do të mbrojë territoret e vendeve anëtare, teksa Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën.

Deklaratat e tij kanë ardhur pasi aleatët e NATO-s kanë thënë se janë të bashkuar kundër agresionit rus, mirëpo nuk kanë gatishmëri për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar këtë mbyllje, në mënyrë që të shmangin sulmet ajrore të Rusisë.

Gjuha diplomatike dhe sanksionet financiare të Perëndimit janë ashpërsuar teksa rritet numri i viktimave civile dhe refugjatëve nga pushtimi që ka mbushur një javë.

“Aleanca jonë është mbrojtëse. Ne nuk duam konflikt”, ka thënë Blinken.

“Mirëpo nëse konflikti vjen te ne, ne jemi të gatshëm për të dhe do të mbrojmë secilin inç të territorit të NATO-s”.

Pak para nisjes së takimit, Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kanë përmendur edhe sulmet në një central bërthamor të Ukrainës, në Zaporizhzhya, të cilat presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka konsideruar “terrorizëm bërthamor” të presidentit rus, Vladimir Putinit.

Zyrtarë bërthamorë kanë thënë se nuk kanë vërejtur rritje të rrezatimit.

Stoltenberg ka dënuar sulmet ndaj civilëve dhe ka thënë se sulmi ndaj centralit bërthamor tregon “sa e pamatur është kjo luftë, për rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë që Rusia të tërheqë trupat dhe të angazhohet me qëllim të mirë në përpjekjet diplomatike”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.​

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

Pas