Të tjera detaje dalin nga dosja hetimore e AKSHI-t, ndërsa emisioni i gazetares Klodiana Lala në News 24, publikoi këtë të martë detaje mbi rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
Këto detaje të publikuara në emisionin “Në shënjestër” janë në fakt pjesë e dëshmisë që vetë biznesmeni ka dhënë përpara hetuesve.
Ndërsa të tjera ai ka thënë se është rrëmbyer përpara pallatit të tij nga persona të veshur me jelekë që mbanin mbishkrimin “BKH” dhe është nxjerrë jashtë Tiranës.
Pjesë nga dokumentari
Kur kam dalë nga pallati ku banoj, unë jam drejtuar për te makina ime ‘Hyundai’ që ka qenë e parkuar në krah të pallatit.
Në ecje e sipër duke u afruar te makina, unë hapa në distancë bagazhin ku vendosa aty çantën e shpinës dhe atë të dorës.
Në këtë moment pranë meje u afrua një automjet fuoristradë ‘Range Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, ku më vonë kam pare që targat e këtij automjeti janë AC121 JJ.
Makinë që ndërsa po vinte drejt meje unë aty fiksova një person që më thirri në emër, Gerond Meçe.
Person i gjatë, rreth 173cm, me trup mesatar, me flokë të zeza, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjata, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) i cili më thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.
I gjendur në një situatë të panjohur për të dhe pa e çuar mendimin te e keqja që do t’i vinte më pas, Gerond Meçe rrëfeu se nuk bëri rezistencë.
Por pranoi t’i bindej urdhërit të personit që mbante të stampuar në trup, në veshjen e tij, logon e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke besuar se në të vërtetë se personi që e thirri dhe personat që ishin me të në makinë ishin pjesë e strukturave të posaçme të hetimit.
Gjë që në fakt nuk rezultoi kështu. Dhe nuk vonoi shumë që ai ta mësonte se ai ishte marrë peng nga një bandë keqbërësish, që kishin për qëllim, ose ishin urdhëruar ta bindnin kundrejt kërbaçit që të hiqte dorë nga ankimimet apo tendera ku merrte pjesë në AKSHI.
“Në atë moment unë besova që është SPAK dhe u binda pa krijuar pakënaqësi apo rezistencë për shkak se isha në oborrin e pallatit tim.
Pasi u afrova te kjo makinë, nga dera mbrapa doli një person i dytë i cili më hapi vendin që unë të futesha brenda i cili edhe ky nuk ishte i maskuar në fytyrë, por i veshur me bluzë si ato të policisë.
Ajo që kujtoj është se pasi personi i parë me bluzën e BKH më thirri, unë shtypa butonin e bagazhit të makinës i cili automatikisht filloi të mbyllej.
Gjatë kësaj kohe, pasi u futa në makinën e personave që më ndaluan, aty në krahun tim të majtë u fut edhe një person i tretë, i cili edhe ky mbante veshje si të policisë, që jam në gjendje ta identifikoj lehtësisht, pasi ishte pa maskë.
Ndërkohë që dy personat që kanë qenë mbrapa me mua, kishin tatuazhe në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, ndërsa personi i tretë kishte një tatuazh bardh e zi në të gjithë parakrahun.
Këtu në këtë moment shoferi i cili ishte me maskë, i folit njërit prej personave që të merrte dy çantat e mia në bagazhin e makinës sime.
Gjë të cilën ai e bëri dhe pasi i mori i futi në makinën ku ndodheshim ne.
Me t’u ngjitur në makinë, siç e kërkon çdo procedurë normale në të tilla, Gerond Meçe, tha se u kërkoi punonjësve të BKH-së dhe të policisë, shkresën me të cilën po e shoqëronin.
Ende pa e kuptuar se e gjithë kjo ishte një lojë për ta futur atë në kurth pa bërë zë dhe pa ngritur alarmin, në një orë dhe në një vend, që ndodhej vetëm pak hapa larg banesës së tij.
Por ende pa u nisur mirë ai rrëfeu se pa shkresë ndalimi apo shoqërimi, personat në makinë i vendosën prangat pa i dhënë shpjegime.
Pasi më futën brenda, unë i pyeta: ‘Keni ndonjë letër, nëse po, ju lutem ma jepni?’
Por ai që ishte në vendin e parë të pasagjerit, më tha që jam i arrestuar, dhe urdhëroi personin e dytë në të djathtën time që të më vendosë prangat.
Unë ndërkohë insistova përsëri që të më japin letrat, dhe se duhet të telefonoja në familje. Letra të cilat personi i ulur në vendin e parë të pasagjerit, më tha se do m’i jepnin në komisariat. Ndërkohë që makina filloi të lëvizë për të dalë nga oborri i pallatit”, mësohet të ketë thënë Gerond Meçe para hetuesve.
Sipas rrëfimit të mëtejshëm të dhënë nga Gerond Meçe në SPAK, këtu filloi edhe dyshimi i tij i parë se personat në makinë, nuk kishin lidhje me policinë dhe me BKH-në.
Edhe pse ai nuk ishte ende i bindur për këtë fakt.
Mënyra e sjelljes dhe mungesës së profesionalizmit nga ana e tyre, nisi të bluajë mendimin te ai se kishte të bënte me njerëz jo të lidhur me zbatimin e ligjit.
Kjo edhe nga mënyra se si njëri prej tyre nuk dinte as të vendoste prangat.
“Fakti që personi i dytë nuk dinte të më vendoste prangat, dhe ndërhyri personi tjetër në krahun tim, më bëri të dyshoj që ndryshe nga sa u prezantuan këta nuk ishin punonjës të ligjit.
Gjatë këtij momenti unë u thashë: ‘O çuna unë nuk jam kriminel’.
Ndërsa personi i dytë m’u hakërrye duke më thënë: ‘Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!’
Pikërisht në këtë moment shoferi u tha të më vinin kapuçin në kokë”, thuhet në dosjen hetimore.
Është pikërisht ky momenti kur Gerond Meçe thotë se tashmë kuptoi se kishte të bënte me një bandë keqbërësish.
Por pa ditur ende qëllimin e tyre.
Ndërkohë që ai nuk kishte asnjë mundësi të kërkonte ndihmë. As kur nga dritarja pa babain e tij të kalonte pranë makinës që e kishte rrëmbyer.
Një skenë e dhimbshme, e cila do të prekte çdo kënd që do ta dëgjonte. “Kur po dilnim nga parkingu i oborrit unë pashë babain tim dhe në atë moment personat që ishin në krahët e mi në makinë më vendosën një kapuç të zi në kokë. Aty kuptova që këta personat nuk janë nga SPAK-u. Por ndërkohë që makina ndaloi në semafor, dhe unë mendova se do të ecte drejt, automjeti devijoi dhe unë aty i pyeta personat në makinë se në cilin komisariat do më çonin. Përgjigje që e mora nga personi i parë i cili më tha: “Në komisariatin më të afërt”, thotë Meçe.
Nga sa ai kuptoi më tej komisariati më i afërt ishte jashtë Tiranës.Edhe pse fillimisht nuk e dinte se ku. Duke u lutur që e gjitha kjo histori të mos kishte një fund të keq.
Një fund që më herët e kishin pasur edhe shumë të tjerë, sot të zhdukur pa gjurmë.

















