Ndërsa jemi në vigjilje të festës së ndërrimit të viteve, lajmet e kronikës së zezë nuk mungojnë. Tre vetë mësohet se i kanë fund jetës ditën e sotme, kur në fakt ora shënon vetëm 14:00. Një i katërt që tentoi të vetëvritej ka mbetur i plagosur, raporton Opinion.al.
Në rend kronologjik; Rreth orës 10:00 u mësua nga burime konfidenciale se një 60 vjeçar i shtruar në spitalin e Durrësit ka pirë fotoksinë dhe është gjetur i pajetë në pavionin e Ortopedisë. Opinion.al u interesua në policinë e Durrësit për të mësuar më shumë për ngjarjen, por ajo u tregua hermetike, duke thënë se nuk kemi ende shumë të dhëna për këtë vdekje.
Disa minuta më pas, përmes një komunikate policie i mësua se një efektiv i policisë së Kavajës ka tentuar ti japë fund jetës me armën e shërbimit në banesën e tij. Hasan Deda mbeti i plagosur dhe po trajtohet në spitalin e Traumës. Nuk dihen shkaqet, por ajo që thuhet është se ai ishte vetëm në shtëpi në momentin e ngjarjes.
Rreth orës 11:00 në Maliq u gjet trupi i pajetë i një të riu, 22 vjeç. Pranë tij edhe një armë. Policia tha se shtetasi me iniciale R.B. është vetëvrarë. Nuk ka informacione për rrethanat apo shkaqet që e çuan drejt aktit fatal.
Rreth orës 13:00 përmes një komunikate policie u mësua rasti i katër i konsumimit të një vetëvrasjeje. 44 vjeçari me iniciale K.D nga Kamza, është gjetur i varur nga familjarët në shkallët e shtëpisë. As për këtë raste, ende nuk dihen arsyet, familjarët po pyeten për problemet e viktimës. /Opinion.al