Pjesë nga libri “Teoria e gjithçkaje: Origjina dhe fati i universit” i fizikanit Stephen Hawking, botim i “Phoenix Books” përkthyer në shqip nga Erjon Uka.
Stephen Hawking/Siç të gjithë e dinë, lindja e universit është një çështje për të cilën është diskutuar që në kohët më të lashta. Sipas një numri të caktuar kozmologësh që i përkasin traditës judeo-kristiane-myslimane, universi është krijuar në një moment të përcaktuar, jo shumë të largët, të së shkuarës. Një nga argumentet në mbështetje të kësaj teze ishte bindja se, për të shpjeguar ekzistencën e universit, duhej pranuar një shkak fillestar.
Një argument i mëtejshëm u zhvillua më vonë nga Shën Agustini në “Qyteti i Zotit”. Ai thekson se rrugëtimi drejt civilizimit vjen duke përparuar dhe ne tani duhet të mbajmë mend emrat e atyre që kanë ndërmarrë një nismë të rëndësishme apo kanë zhvilluar një teknikë në veçanti. Prandaj njeriu, apo ndoshta edhe i gjithë universi, nuk ka mundësi të ketë ekzistuar prej shumë kohësh, përndryshe do të kishim bërë më shumë progres nga sa kemi bërë.
Duke ndjekur Librin e Gjenezës, Shën Agustini e vendoste datën e krijimit të universit rreth vitit 5,000 para Krishtit. Interesant është fakti se kjo datë nuk është edhe aq larg nga përfundimi i epokës së fundit të akullnajave, rreth vitit 10,000 para Krishtit, pas së cilës, në fakt, filloi të ekzistonte qytetërimi. Nga ana e tyre, Aristoteli dhe pjesa më e madhe e filozofëve të tjerë grekë nuk e pranonin idenë e një krijimi, gjë e cila do të implikonte një ndërhyrje më të madhe të hyjnores në çështjet tokësore. Përkundrazi, ata besonin se njerëzit – dhe bota përreth tyre – kishin ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdonin ekzistencën e tyre përgjithmonë. E kishin analizuar atë argumentin mbi progresin për të cilin folëm më sipër dhe përgjigjeshin duke thënë se ka pasur përmbytje apo katastrofa të tjera, të cilat në mënyrë ciklike, e kanë rikthyer racën njerëzore në pikënisjen e civilizimit.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e njerëzve besonin në një univers thelbësisht të palëvizshëm dhe të pandryshueshëm, pyetja se a ka pasur apo jo një fillim, i takonte specifikisht fushës së metafizikës ose teologjisë. Cilado hipotezë të pranohej, i vihej rëndësi fakteve që ishin vrojtuar. Ose universi kishte ekzistuar gjithmonë, ose në një moment të caktuar ishte vënë në funksionim duke dhënë përshtypjen se kishte ekzistuar gjithmonë. Por në vitin 1929, Edwin Hubble bëri një vrojtim që do të luante një rol shumë të rëndësishëm: nga cilado anë që të shihet qielli, yjet e largëta largohen me shpejtësi nga ne. E thënë ndryshe, universi po zgjerohet. Kjo do të thotë se në të kaluarën trupat qiellorë kanë qenë më afër me njëri-tjetrin dhe faktikisht, në një kohë shumë të largët mes dhjetë dhe njëzet milionë vite më parë, të gjithë janë gjendur në të njëjtën pikë.
Në vazhdim të këtij zbulimi, çështja e origjinës së universit hyri më në fund në fushën e kërkimit shkencor. Vrojtimet e Hubble sugjeronin se në një çast të caktuar, çast i quajtur ndryshe si big bang, universi ishte pafundësisht i vogël dhe për pasojë, pafundësisht i dendur. Edhe nëse do të kishte ndodhur ndonjë gjë para këtij momenti, këto ngjarje hipotetike nuk do të kishin asnjë ndikimin në atë që po ndodh sot. Prandaj ekzistenca e tyre e mundshme mund të tejkalohet duke qenë se nuk ka asnjë pasojë në realitetin që vrojtojmë tani.
Mund të thuhet se edhe vetë koha ka nisur me big bang-un, në kuptimin që thjesht nuk është e mundur të përcaktojmë se çfarë ka ndodhur më parë. Duhet të theksojmë se ky fillim i kohës është thellësisht i ndryshëm nga ato që janë supozuar në epokat e shkuara. Një univers statik mund të ketë një fillim në kohë vetëm si pasojë e një shkaku të jashtëm. Nuk ka asnjë nevojë thelbësore që të justifikojmë fillimin e ekzistencës, prandaj mund të imagjinojmë se Zoti e ka krijuar në çfarëdo lloj momenti të së shkuarës. Nga ana tjetër, nëse universi po zgjerohet, për këtë mund të ekzistojnë arsye të karakterit fizik që shpjegojnë nevojën e fillimit të tij. Sigurisht që do të ishte e mundur të vazhdonim të besonim se Zoti e ka krijuar universin në momentin e big bang-ut, e madje mund të thuhet se e ka krijuar në një moment të dytë, duke e bërë të duket sikur ka ndodhur një big bang. Por ama nuk do të kishte kuptim të supozonim se universi është krijuar përpara se të ndodhte big bang-u. Me fjalë të tjera, fakti që universi po zgjerohet nuk e përjashton hipotezën e ekzistencës së një krijuesi, por i vendos limite të qarta kohore punës së tij.
***
Tani, gjithë këto prova se universi duket njësoj pavarësisht drejtimit që ne e shohim, na bëjnë të mendojmë se ka diçka të veçantë në pozicionin tonë. Në veçanti mund të besojmë se duke qenë se shohim galaktikat të cilat vazhdimisht largohen nga ne, pozicioni ynë përkon me qendrën e universit. Ama ekziston edhe një shpjegim tjetër, sipas së cilit universi mund të duket i njëjtë nga çdo pozicion, edhe nëse e shohim nga cilado galaktikë tjetër. Ky shpjegim, siç edhe e pamë deri tani, ishte supozimi i dytë i Fridmanit.
Nuk ekzistojnë prova shkencore pro ose kundër këtij supozimi. Ato që na shtyjnë ta pranojmë janë vetëm disa arsye të thjeshta modestie. Do të ishte me të vërtetë e çuditshme që universi të dukej i njëjtë nga çdo pozicion rreth nesh, por jo rreth pikave të tjera në hapësirë. Në modelin e Fridmanit të gjitha galaktikat largohen nga njëra-tjetra. Ngjason me fryrjen e një topi në të cilin janë vizatuar disa pika: teksa topi fryhet, rritet edhe distanca e pikave me njëra-tjetrën, por që gjithsesi ne nuk mund të konsiderojmë asnjë pikë si qendrën e zgjerimit. Për më tepër, sa më shumë pikat largohen prej tyre, aq më e madhe është edhe shpejtësia e largimit nga njëra-tjetra. Në mënyrë analoge, në modelin e Fridmanit shpejtësia me të cilën dy galaktika çfarëdo largohen nga njëra-tjetra është në përpjesëtim të drejtë me distancën që i ndan. Kjo parashikonte që spostimi i spektrit të një galaktike drejt së kuqes do të ishte në përpjesëtim të drejtë me largësinë e saj prej nesh, pikërisht siç u konfirmua më vonë nga Hubble.
Pavarësisht vlerës së modelit të tij dhe parashikimeve që i bëri vrojtimeve të Hubble, puna e Fridmanit mbeti thuajse e panjohur në perëndim. Njohja e tij u rrit vetëm pas vitit 1935 kur fizikani amerikan Howard Robertson dhe matematikani britanik Arthur Walker përpunuan modele të ngjashme me këtë pasi Hubble zbuloi se universi zgjerohej në mënyrë uniforme.
Edhe pse Fridmani identifikoi vetëm një, në të vërtetë ekzistojnë plot tre modele të ndryshme që i binden dy supozimeve thelbësore të bëra nga ai. Në modelin e parë, atë të zbuluar nga vetë Fridmani, zgjerimi i universit bëhet me një shpejtësi mjaft të reduktuar, e tillë që forca e tërheqjes gravitacionale mes galaktikave të ndryshme arrin avash-avash ta ngadalësojë deri sa ta ndalojë; kështu galaktikat do të fillojnë të lëvizin drejt njëra-tjetrës dhe universi do të hyjë në një fazë përqendrimi. Distanca mes dy galaktikave, e cila fillimisht është e barabartë me zero, rritet deri sa arrin një maksimum dhe më pas zvogëlohet deri sa të zerohet sërish.
Në modelin e dytë, zgjerimi i universit bëhet me një shpejtësi aq të madhe sa tërheqja gravitacionale, megjithëse e ngadalëson paksa, nuk është kurrë në gjendje ta ndalojë plotësisht. Sipas këtij modeli, distanca mes galaktikave në fillim është e barabartë me zero dhe në fund ato largohen njëra nga tjetra me një shpejtësi konstante.
Së fundi, ekziston edhe një model i tretë, sipas së cilit shpejtësia e zgjerimit të universit është e mjaftueshme për të shmangur bashkimin si pasojë e forcës gravitacionale. Edhe në këtë rast distanca mes galaktikave është zero dhe rritet deri në infinit. Por, ndryshe nga modeli i dytë, në këtë rast shpejtësia me të cilën galaktikave largohen nga njëra-tjetra vjen duke u zvogëluar, megjithëse pa arritur kurrë zeron.
Një veçori e denjë për t’u vënë në dukje nga modeli i parë i Fridmanit është kjo: universi nuk është i pafundmë në hapësirë, por megjithatë hapësira nuk ka asnjë limit të jashtëm, nuk ka kufij. Graviteti ka një forcë të tillë sa e detyron hapësirën të përkulet në vetvete, njësoj si rasti i Tokës. Nëse dikush fillon e ecën në Tokë në një drejtim të caktuar, nuk do të ndeshë kurrë një barrierë të pakalueshme dhe as nuk do të bjerë në boshllëk pasi të ketë arritur një limit hipotetik, por thjesht do të gjendet në të njëjtën pikë nga ku u nis. Hapësira, sipas modelit të parë të Fridmanit, përfaqësohet nga ky koncept, vetëm se bëhet fjalë për tre dimensione, nga dy që gjenden në sipërfaqen tokësore. Edhe dimensioni i katërt (koha) ka një shtrirje të pafundme. Por ndryshe nga hapësira, koha shihet si një vijë e kufizuar nga dy pika ekstreme ose limite, pra një fillim dhe një fund. Do të shohim më pas se si është e mundur që duke përdorur relativitetin e përgjithshëm me parimin e papërcaktueshmërisë të mekanikës kuantike, është e mundur ta konceptojmë si kohën ashtu edhe hapësirën si të fundme, por pa limite. Ideja sipas së cilës mund të udhëtojmë në vijë të drejtë rreth universit për t’u kthyer më pas në pikën fillestare të nisjes, mund të jetë e mirë për fantashkencën, por nuk ka shumë vlerë në planin praktik. Në fakt është e mundur që të tregojmë se shumë më herët se sa të përfundojmë udhëtimin tonë, universi do të vetëshkatërrohet duke pasur një reze të barabartë me zero. Për t’u rikthyer në pikën tonë të nisjes përpara fundit të universit, do të duhet të udhëtojmë me një shpejtësi më të madhe se ajo e dritës, gjë që është e pamundur.
Por cili prej modeleve të Fridmanit e përshkruan realisht universin tonë? A do ta përfundojë një ditë universi zgjerimin për t’u ribashkuar sërish në një pikë të vetme, apo do të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të dimë shpejtësinë aktuale të zgjerimit të universit dhe dendësinë mesatare që ka sot. Nëse dendësia është më e ulët se një vlerë e caktuar kritike (e varur nga shpejtësia e zgjerimit), tërheqja gravitacionale do të ishte shumë e dobët për të ndaluar zgjerimin. Por në të kundërt, nëse dendësia e kalon këtë vlerë kritike, do të vijë një kohë kur tërheqja gravitacionale do të ndalojë zgjerimin e universit dhe për pasojë do ta ribashkojë në një pikë./Opionon.al
Lexo edhe: Origjina dhe fati i universit: Ndërhyrjes së Zotit i duhet vënë kufi