Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sistemi elektronik i Policisë së Maqedonisë së Veriut ka pësuar një defekt teknik në gjithë territorin e shtetit, duke sjellë si pasojë pezullimin e përkohshëm të hyrjes së automjeteve nga Kosova.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet maqedonase kanë nisur regjistrimin e udhëtarëve në mënyrë manuale dhe kanë rikthyer kontrollin e dyfishtë kufitar. Kjo ka shkaktuar pritje të gjata dhe kolona të mëdha në pikat kufitare.
“Në këtë moment, regjistrimi po bëhet në mënyrë mekanike. Derisa të rikthehet funksionimi i sistemit kufitar të RMV-së, kontrolli i dyfishtë do të vazhdojë,” thuhet në njoftim.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u bën thirrje qytetarëve të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe premton informim të vazhdueshëm në kohë reale për çdo ndryshim të situatës.