Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se të gjitha qeveritë mund të bien kur janë në pikëpyetje raportet me Shtetet e Bashkuara dhe prezencën amerikane në Kosovë.
I pyetur nga gazetarët, lidhur me deklaratat e disa zyrtarëve se amerikanët kanë paralajmëruar mbylljen e kampit ushtarak amerikan “Bondstill”, Veseli tha se “gjitha qeveritë mund të bien por jo edhe të largohen amerikanët nga Kosova”.
Veseli, udhëheqë Partinë Demokratike të Kosovës që është pjesë e koalicionit qeverisës, i cili ka mosmarrëveshje lidhur me taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, heqjen e të cilës po e kërkojnë prej kohësh Shtetet e Bashkuara.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot në Gjilan se taksa e vendosur do të mbetet derisa të ketë njohje nga ana e Serbisë për Kosovën në kufijtë ekzistues./ Opinion.al