Arratia e të riut shqiptar në Greqi nuk ka zgjatur as 24 orë. Ai u arrestua në në lagjen “Omonia” të Athinës. Albiano Xhezari, 22 vjeç, u arratis gjatë mbrëmjes së kaluar në momentin që në burgun e të miturve po bëheshin punime për shtrimin e kabllove te reja elektrike.
Dy të dënuarit, 22-vjeçari shqiptar, i akuzuar si anëtar i një bande grabitësish dhe shtetasi sirian i akuzuar për vjedhje, kaluan nëpërmjet një muri, prej të cilit ishin hequr telat me gjemba për shkak të punimeve, dhe pasi u hodhën jashtë rrethimit, u larguan me shpejtësi. Një gardiane e ndodhur në vend, u godit dhe u kërcënua prej dy të arratisurve.
22-vjeçari Albiano Xhezari, ka qenë i pranishëm gjatë ekzekutimit të Arben Bakos në burgun Koridhalos, por ndaj tij nuk ishin ngritur akuza shtesë, pasi prej ekzaminimit të videos së ekzekutimit të Bakos, nuk rezulton se 22 vjeçari të ketë goditur viktimën.
Xhezari dyshohet se bënte pjesë në bandën e Klodian Lekocaj, në burgun Koridhalos, ndaj edhe u transferua ne burgun e sigurisë së ulët në Avlona./ Opinion.al