Mëngjesin e sotëm tetë prokurorët e strukturës së posaçme, e njohur si SPAK, u betuan para Presidentit Ilir Meta.
Ngritja e SPAK, shënon ditën e stome dhe pushimin e së funksionuari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Disa nga dosjet të cilat i përkisnin kësaj Prokurorie u kaluan në SPAK, ndërsa prokurorët e mbetur u transferuan në institucionin e akuzës në kryeqytet.
Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.
Ndërkohë, lidhur me betimin e prokurorëve të SPAK, ka reaguar edhe ambasadori Luigi Soreca: “Ne mirëpresim betimin sot për 8 prokurorët e SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin ereformës në drejtësi. Lufta kundër # korrupsionit dhe # krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e # anëtarësimit në BE.”
Ndërkohë, ditën e sotme, për 3 anëtarët e SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, që dhanë dje intervistat e tyre, KLP do të vendosë se kush do të jetë kreu i këtij institucioni./ Opinion.al