Bota

Beteja për Soledarin: Sukses i Rusisë apo fitore e Pirros?



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:33 - 16/01/23 |
Opi Nion

Ndonëse forcat ushtarake ruse vazhdojnë të avancojnë në Soledar, Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të deklarohen ndryshe për kontrollin e qytezës së njohur për minierat e kripës.

Rusia ka pretenduar disa herë se e ka fituar kontrollin e qytezës, ndonëse zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat shtetërore nuk janë larguar nga qyteti dhe vazhdojnë luftën.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 13 janar se zotëron Soledarin, mirëpo deklarata është hedhur shpejt poshtë nga Kievi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vazhdojnë luftimet për pjesën lindore.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë situatën në mënyrë të pavarur, mirëpo disa korrespodentë rusë të luftës, kanë sugjeruar se forcat ruse kanë fituar kontrollin e një pjese të mirë të Soledarit.

Megjithatë, edhe forcat ukrainase shihen prezente, përkatësisht Brigada e 46-të.

Duke folur për Current Time, televizionin në gjuhën ruse, të udhëhequr nga Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës, Volodymyr Nazarenko, zëvendëskomandant i batalionit të Gardës Kombëtare ukrainase, ka thënë se luftimet e ashpra në Soledar kanë shkatërruar një pjesë të mirë të qytezës, mirëpo forcat ushtarake ukrainase janë të vendosura për të larguar rusët nga pozicionet e tyre.

“Soledari tani duket rrafsh me tokë”, ka thënë Nazarenko nga Donjecku.

“Pothuajse nuk ka mbetur asgjë e ndërtuar”.

Analistët ushtarakë kanë vënë në pikëpyetje vlerën strategjike të Soledarit apo Bahmutit, ku janë zhvilluar ndër luftimet më të ashpra në javët e fundit.

Megjithatë, fitorja ruse është goxha e mirëpritur nga Kremlini, pas një morie zmbrapsjesh dhe pamundësisë për të kontrolluar ndonjë qytet ukrainas, prej korrikut të vitit 2022.

Si pasojë e betejës së ashpër, të dyja palët kanë humbur mijëra ushtarë.

Nazareknko sugjeron se secili përparim i palës ruse në lindje përbën fitore të Pirros, pasi marrë parasysh humbjet e shkaktuara, Moska vështirë se do të mund të mbajë fitoren në këtë zonë.

“Detyra jonë është që ta lodhim armikun”, ka thënë Nazarenko.

“Bahmuti dhe drejtimi për në Bahmut janë grackë për armikun.. herët apo vonë do të dorëzohen”.

Larje në gjak

Si Soledari, ashtu edhe Bahmuti, kanë qenë në fokus të luftës me artileri prej fundit të verës.

Madje, zyrtarët ukrainas i kanë përshkruar si masakra valët e sulmeve qe kanë nisur ushtarët rusë, me qëllim të kontrollimit të rajonit.

Edhe pse zyrtarët ukrainas i kanë konsideruar betejat në Soledar dhe Bahmut si pjesë e strategjisë për t’i shkaktuar humbje joproporcionale Rusisë, në luftime janë përfshirë shumë ushtarë që do të mund të pozicionoheshin diku tjetër.

Zelensky ka thënë se pak mure qëndrojnë lart në Soledar, teksa ka përshkruar situatën e zymtë nëpër rrugët e kësaj qyteze.

Andriy Yermak, shef i stafit të Zelenskyt, i ka krahasuar luftimet me ato të Verdumit, betejës më të gjatë në Luftën e Parë Botërore.

Guvernatori i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, ka thënë se zona e luftës “është larë në gjak”.

Forcat ruse dhe ukrainase kanë thënë se janë duke evakuuar civilët, derisa Kyrylenko ka thënë se vetëm 600 banorë kanë mbetur në Soledar, në krahasim me më shumë se 10.000 para luftës.

Tensionet mes fraksioneve ruse

Beteja për Soledarin ka vënë në pah edhe ndasitë mes forcave të rregullta dhe grupit mercenar Vagner.

Vagner ka qenë në krye të përpjekjeve për të fituar kontrollin e Soledarit dhe qytetit fqinj Bahmutit, ashtu që të shënohet një fitore simbolike për liderin e grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin.

Shumë analistë kanë sugjeruar se Prigozhin po tenton të rrisë prezencën në qarqet politike në Moskë, duke treguar se forcat e tij mund të shënojnë fitore në rajonet ku forcat ruse janë bllokuar.

Kjo situatë ka rritur tensionet këtë javë, pasi dy palët kanë dalë kundër njëra-tjetrës kur kanë dashur të marrin merita për avancimet ruse.

Kur Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se trupat e saj kanë marrë kontrollin e Soledarit më 13 janar, në deklaratë nuk është përmendur se Vagner ka qenë pjesë e operacionit.

Pak më vonë, Andrei Troshev, komandant i lartë i Vagnerit, e ka akuzuar ministrinë për vjedhje të “meritave të dikujt tjetër”.

Tri ditë më vonë, Prigozhin ka pretenduar se Soledari ka rënë në duart e luftëtarëve të Vagnerit dhe nuk ka përmendur forcat e rregullta ruse.

“Duket se janë tri ushtri që luftojnë në lindje të Ukrainës, ushtria ukrainase dhe më pas dy ruse të cilat janë duke garuar me njëra-tjetrën”, ka thënë Olga Romanova, shefe e fondacionit Rus Sefentary, në disa përgjigje për Current Time.

“Në përgjithësi, ata nuk e duan njëri-tjetrin”.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se 4.000 prej 50.000 mercenarëve të Vagnerit janë vrarë në linjat e frontit në Soledar dhe Bahmut, derisa mbi 10.000 të tjerë janë plagosur.

Ndonëse betejat kanë vënë në pah çarjet mes forcave ruse, varësia ndaj Vagnerit në Soledar u ka mundësuar njësiteve ruse që të operojnë në rajonet tjera.

Romanova beson se ndoshta Ministria ruse e Mbrojtjes edhe do të përmendte Vagnerin në kuadër të suksesit, mirëpo ndasitë sa shkojnë e thellohen.

Mijëra të burgosur besohet se i janë bashkuar Vagnerit në muajt e fundit.

Në disa pamje në rrjetet sociale, vetë Prigozhin është parë duke rekrutuar të burgosurit nëpër Rusi.

Vagner po ashtu ka dalë publikisht duke treguar se është duke ekzekutuar dezertorët dhe personat tjerë që nuk u binden urdhrave.

Romanova ka thënë se humbjet në fushëbetejë dhe ekzekutimet e dyshuara, e kanë dëmtuar aftësinë e Vagnerit për të rekrutuar, qoftë edhe brenda burgjeve.

“Procesi i rekrutimit është ngadalësuar shumë në fund të dhjetorit, kur kanë nisur të qarkullojnë më shumë video të ekzekutimeve”, ka thënë ajo.

“Këto ekzekutime duket se i kanë ndalur njerëzit nga arratisja apo dorëzimi në Ukrainë, mirëpo i kanë ndalur thuajse krejtësisht edhe rekrutimet”./REL

 

Pas