Ligjvënësit demokratikë në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një urdhër ndaj Shtëpisë së Bardhë ku i kërkojnë të publikojë dokumentet që kanë të bëjnë me “çështjen Ukraina”, si pjesë e procesit të shkarkimit të presidentit Donald Trump.
Ky vendim që erdhi nga tre udhëheqësit e komitetit në Dhomën e Përfaqësuesve, pritet të rrisë edhe më shumë tensionet midis demokratëve dhe administratës së SHBA-së.
Ata thanë se janë të detyruar të lëshojnë urdhërin ndaj Shtepisë së Bardhë pasi nuk kanë marrë ende përgjigje nga letra e dërguar më 9 shtator lidhur me publikimin e dokumenteve.
“Ne ndihemi keq që presidenti Trump na ka vënë në këtë situatë ne dhe vendin, por veprimet e tij nuk na kanë lënë zgjidhje përvec se të lëshojmë këtë urdhër”, thuhet në njoftim, duke shtuar se data e fundit për dorëzimin e dokumenteve është vendosur më 18 tetor.
Si përgjigje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham tha në një komunikatë se “ky urdhër nuk ndryshon asgjë, vetëm më shumë dokumente, kohë të humbur dhe shpenzim parash të taksapaguesve që do të dëshmojnë se presidenti nuk ka bërë asgjë gabim”.
Procedurat për shkarkimin e presidentit Trump vijnë pas raportimeve të një informatori të qeverisë lidhur me telefonatën e 25 korrikut midis presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodomyr Zelenskiy, në të cilën supozohet se Trump ka bërë presion për hetim ndaj ish-zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij që zhvillonte biznes në Ukrainë./Opinion.al