Një grup besimtarësh myslimanë kanë reaguar ditën e sotme mbi një deklaratë që Kryeministri Edi Rama ka bërë në lidhje me rrezikun e radikalizmit islam në Shqipëri.
Në deklaratat e tij, Kryeministri paralajmëron kancelaren gjermane dhe Bashkimin Europian se mos-integrimi i Shqipërisë në BE do të krijojë hapësirë për Rusinë që të radikalizojë myslimanët shqiptarë.
Por ndërkohë grupi i besimtarëve myslimanë kanë thënë se kjo është një kartë shpifjesh dhe sajesash, e pabazuar në asnjë indicie zyrtare destabiliteti.
“Myslimanët shqiptarë e dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Europë, sepse besojnë që vlerat dhe parimet europiane do t’i mundësojnë Shqipërisë dhe myslimanëve shqiptarë drejtësinë e munguar dhe begatimin që meritojnë. Ne besojmë se integrimi i Shqipërisë në BE është penguar nga klasa politike aktuale shqiptare ku bën pjesë edhe Kryeministri. Feja islame dhe ne si myslimanë dënojmë në emër të fesë sonë korrupsionin galopant dhe padrejtësitë e klasës politike shqiptare, të cilat u kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe shqiptarëve” shkruhet në deklaratë.
Gjithashtu ata thonë se qeveria dhe Kryeministri i Shqipërisë janë votuar që të garantojnë sigurinë kombëtare përmes institucioneve ligjzbatuese, dhe jo të bëjnë deklarata destabilizuese të cilat promovojnë probleme që nuk ekzistojnë në realitet dhe dënojnë heshtjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndaj deklaratave dhe qëndrimeve islamofobe të përsëritura të Kryeministrit ndaj myslimanëve shqiptarë.