Protesta e opozitës e 12 nëntorit do të nisë në orën 16:00. Lajmi është dhënë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili këtë të shtunë po mban një bashkëbisedim me qytetarët në ‘Facebook’.
“Data 12 nëntor, ora 16:00 është ora e shqiptarëve. Ndaj dhe ju ftoj të gjithë të bashkohemi në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi ndonjë herë. Por sot ne jemi në prag të një zhvillimi tjetër madhor, të primarëve në Shqipëri. Unë e kuptoj se ato ngjasojnë me një oaz, në një vend ku vota është kthyer në fiktivitet. Por rrugë tjetër për zhvillimin e këtij vendi, përveç sistemit të votës së lirë, nuk ka. Ndaj ju ftoj sot, në mënyrë të veçantë zonjat, zonjushat, të rinjtë dhe përfaqësuesit nga emigracioni të bashkohen në këtë garë. Unë e di që ka pasur zemërthyer dhe kritika me primaret, por nuk jam tërhequr dhe nuk tërhiqem. Sepse ato kufizojnë pushtetin tuaj dhe ju japin ju pushtet”-tha Berisha.