Në një kohë që kryeministri Edi Rama ka nisur turin e dëgjesave me qytetarët për prezantimin e projektbuxhetit 2026, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur sot bashkëbisedimin mr qytetarët në rrjetet sociale për zhvillimet në Shqipëri.
Berisha reagoi pas deklaratave të kryeministrit Rama për mungesën e disa ilaçeve të trajtimit të sëmundjeve të rënda.
Ai akuzoi Ramën për papërgjegjshmëri dhe shpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se “të gjitha ilaçet e munguar nuk do të kushtonin as sa një e pesta e shpenzimeve personale të Ramës”.
“Sot në mënyrën më të papërgjegjshme dhe unike në botë u deklaronte qindra e qindra të sëmurëve me sëmundje të rënda, familjeve të mijëra të tjerëve që nuk janë më, se nuk kishim ilaçe meqë ishin shumë për mjekimin e tyre. Të udhëtosh me çarter dhjetëra e dhjetëra herë dhe të lësh të sëmurët në kthetrat e më të pamëshirës, vdekjes, kryen një krim kundër njerëzimit. T’i lësh pa ilaçe. Pikërisht sot pranoi se i lamë pa ilaçe se nuk kishim se ata ishin shumë. Unë u garantoj se të gjithë ata pa përjashtim, të gjitha ilaçet e tyre që janë vërtet të kushtueshme, të marra së bashku nuk kushtonin kurrë as edhe një të pestën e shpenzimeve personale të Edi Ramës për avionë, për makina, për kopshtin e Edenit, për Giro D’italia. As një të dhjetën. Por natyrisht njerëzit i shumëzon me zero para interesave të verbra të pushtetit tënd”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për vjedhje dhe tregti me ilaçet, duke iu referuar gjetjeve të KLSH. Ai u shpreh i gatshëm për debat dhe pyetje nga qytetarët, ndërsa i quajti deklaratat e Ramës mashtrime dhe qeverisjen e tij të papërgjegjshme.
“Sot ai në shpirtkazmëri si për t’i prekur, iu rikujtoi qytetarëve eksperiencën e tij personale. Edhe më makabër bëhesh me këtë Edi Rama, se nuk e besoj se ke lënë ndonjë person tëndin pa ilaçe dhe unë shpresoj të shërohet. Por po të kishe ndjeshmëri ti, po t’i konsideroje qenie njerëzore, ti nuk i lije kurrë ata pa ilaçe. Ti u bije vizë të gjitha këtyre shpenzimeve për t’u garantuar ilaçet atyre. Tani thua se këtë vit do kenë ilaçet. Uroj që të mos ua vidhni ilaçet siç keni vepruar. Sepse ju keni vjedhur paratë e ilaçeve. Sepse ju keni bërë tregti me ilaçet. Ministrja jote është pasuruar me ilaçe. Administrata jote është pasuruar me ilaçe. Janë këto të gjitha të evidentuara në akte të KLSH. Unë u ndala në këtë moment se ky është një moment shumë i dhimbshëm. Po ky është njeri i papërgjegjshëm, njeri që për pushtetin e tij është i aftë të bëjë gjithçka dhe të mashtrojë për çdo gjë”.
Berisha kritikoi shpenzimet publike për aktivitete si Giro d’Italia, investimet në projektin “Kopshti i Edenit”, blerjet e automjeteve dhe udhëtimet e kryeministrit, duke i quajtur këto burimi i mungesës së fondeve për medikamente.
“Ky njeri i papërgjegjshëm, mund t’i vësh çdo epitet, por të shpenzosh 7 milionë euro për Giro D’Italia, të ndërtosh Kopshtin e Edenit në oborrin e qeverisë për 4.2 milionë euro, të blesh makina për vete, makina e tretë që shkon në total 1.5 milionë euro, të shpenzosh 21 milionë euro udhëtime në dy vite, të hapësh shishe 33 mijë euro Romanee Conti në zyrat e tua”.
Ai e cilësoi farsë, procesin zgjedhor të 11 majit, duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR dhe akuzoi qeverinë për presione ndaj opozitës gjatë vitit elektoral.















