Ish-kryeministri Sali Berisha, është shprehur se kryeministri Rama dhe ambasadorja amerikane, Kim do të dështojnë ashtu sikurse dështoi McGonigal.
Në një dalje për mediat në selinë blu, Berisha vijoi akuzat ndaj Ramës, duke u shprehur se kreu i qeverisë ndikoi në vendimin e gjykatës së Apelit për vulën e PD., pikërisht për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve.
Berisha i bëri thirrje DASH, FBI-së dhe Kongresit amerikan për të kryer një hetim të plotë për të gjitha këto veprime që i quan antiligjore dhe antikushtetuese.
“Pikërisht për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve, Rama bllokoi procesin zgjedhor deri 3 ditë para afatit të regjistrimit.
Pikërisht për një gjë të tillë, dorëzoi me Elira Kokonën, shkresën që lexuan gjykatësit.
Pikërisht sepse ka lepurin në bark, kombinoi me McGonigalin me fustan, e cila në shkelje të të gjitha parimeve të vendit të saj dhe këtij vendi, u angazhuan në mënyrën më korruptive kundër Partisë Demokratike.
Rama dhe Kim, të dy me mekanizmin McGonigal, do të dështojnë siç dështoi ai.
I bëj thirrje edhe njëherë, inspektorit të përgjithshëm të DASH, i bëj thirrje FBI-së, i bëj thirrje Kongresit të SHBA, për një hetim të plotë për të gjitha këto veprime antiligjore, antikushtetuese, që shkelmojnë konventat ndërkombëtare të ambasadores Kim.
Sikundër e garantoj Edi Ramën se asgjë nuk mund ta shpëtojë atë pa pasur fatin e McGonigal, jo në Amerikë, por në Shqipëri”, tha Berisha./Opinion.al