Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ditën e sotme, komentoi projektligjin e qeverisë për administratën duke e quajtur “një paçavure të vërtetë”.
“Në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një zhgarravinë të vërtetë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, administrata aktuale funksionon mbi bazën e ligjit 90 të vitit 2012, i cili si çdo ligj tjetër mund të amendohet, abrogohet dhe zëvendësohet.
Por ai akuzon qeverinë se i ka bërë amendimet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore dhe ato kushtetuese të ndarjes së pushteteve.
“Edi Rama ka shpërndarë këto ditë gushti një projektligj për administratën shtetërore, një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shgarravinë të vërtetë.
Por shumë më e rëndë është në parimet që këto ndryshime të ligjit ekzistues për administratën shtetërore sjellin.
Administrata aktuale shtetërore funksionon mbi bazën e ligjit 90 të shtatorit të vitit 2012, ligj i cili pa mëdyshje mund të amendohet si çdo ligj tjetër, mund të abrogohet, mund të zëvendësohet.
Por kur amendohet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore, duke shkelmuar parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi. Po ju rikujtoj, po ndalem tek kjo.
Në nenin 1 të ligjit 90, 2012, thuhet: qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri ligjor të njëjtë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e këshillit të ministrave”, tha Berisha.