Duke akuzuar PS se nuk zhvillon zgjedhje brenda saj, kryedemokrati Sali Berisha tha se PD po përgatit një ligj që detyron partitë që të votojnë brenda vetes për drejtuesit.
Në mbledhjen e kryesisë, Berisha thotë se për këtë ligj pret që të ketë edhe mbështetjen e qytetarëve socialistë.
“Një ligj do të përgatitet sa më shpejt, i cili do të detyrojë çdo parti politike, të respektojë normat bazë të demokracisë në jetën e saj. Ky ligj u miratua nga Bundestagu gjerman, pas daljes nga diktatura naziste dhe ky ligj ka detyruar forcat politike të harkut kushtetues të Gjermanisë, në jetën e tyre të brendshme të zbatojnë standardet demokratike.
Uroj që anëtarët dhe simpatizantët e PS-së të detyrojnë deputetë e tyre të votojnë këtë ligj, përndryshe i garantoj se ligji i parë që do të votohet pas fitores së PD-së, do të jetë ky ligj dhe se çdo forcë politike që nuk e zbaton atë do të dalë jashtë ligjit, cilado qoftë ajo.”-tha Berisha./ Opinion.al