Ish-kryeministri Sali Berisha, në “Foltoren” e kësaj të premteje në Kurbin ka folur me tone të ashpëra kundrejt kryeministrit Edi Rama.
Berisha theksoi se Rama mori mandatin e tretë përmes patronazhistëve dhe kriminelëve ndërsa ishte Basha që sipas tij i firmosi fitoren.
Berisha tha se paralajmërimin që i ka bërë Fatos Nanos, po ja bën edhe Edi Ramës, duke u shprehur se fundin e ka afër ndërsa sulmoi edhe kreun e PD, Lulzim Basha, për të cilin tha që Rama mos harrojë ta marrë me vete.
“Rama mori mandatin e tretë duke nxjerrë të dhënat e shqiptarëve në sistemin e patronazhimit. Rama përdori kriminelë, por peng Basha i cili u zotua të mbrojë votën, nuk e mbrojti atë në 2017, në zgjedhjet e Peshkopisë, i dha fitoren pa marrë pjesë në garë në zgjedhejt lokale. Në 2021 ai u dorëzua, firmosi fitoren e Ramës dhe u mor me karrigen e tij. Këto dëshmojnë se situata në vend është kritike, por është kjo situatë e cila gjëmoi si një thirrje e brendshme në ndërgjegjen tonë, të bashkohemi në një lëvizje të fuqishme për rithemelimin e Partisë Demokratike, për shtrimin e saj në opozitën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Edvin, fundin e ke të afërt, mjer ti ç’do heqësh. Paralajmërimin që i bëra Fatos Nanos, po ta bëj dhe ty në këtë sallë, fatin e tij do pësosh nga gratë dhe burrat e Kurbinit. Bëj gati valixhet dhe nisu në Beograd, mos harro dhe Lul Pengun.”-tha Berisha.