Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu Sali Berisha ka kujtuar edhe një herë se e vetmja rrugë e përballjes me qeverinë është ajo e protestive.
Berisha tha se të tjerat janë rrugë zjarrfikësish, ndërsa njoftoi protestë kombëtare më 22 Dhjetor në Tiranë.
Pjesë nga fjala e Berishës
Kështu që shpresa se do luftohet korrupsioni nga drejtësia e re, kjo është e para ministre në detyrë që akuzohet për korrupsion.
Asnjë nuk ka qenë, kjo po. Dhe urdhëroni se çfarë bëri para shqiptarëve, ky është një poshtërim për çdo shqiptar. Ky u thotë shqiptarëve se unë vjedh, ministrat e mi vjedhin, por ata nuk mund të gjykohen.
Për shkak të tij, dy ditë më parë, u zhvillua ofensiva diplomatike më e madhe që kam parë ndonjëherë për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë Speciale, çka të bën me të drejtë të mendosh se Edi Rama duket se kishte bërë gjithçka të zgjidhte njeriun që ai ka bërë marrëveshje për mbylljen e dosjes së tij.
Sepse e vërteta është se Dumani mbylli disa dosje të Edi Ramës, kjo është e pamohueshme.
Dumani mbylli dosjen e Edi Ramës, duke akuzuar Arben Ahmetajn për djegësin e Tiranës, të cilin ai e kishte kundërshtuar 4 herë, megjithëse e kishte firmosur Edi Rama.
Dumani mbylli dosjen Alabar, dhe shqiptarët do e marrin vesh mirë se çfarë krimi në përmasa gjigante po kryhet me portin e Durrësit, çfarë goditje të rëndë po i jepet çdo shqiptari me portin e Durrësit, për aq sa ka peshë transporti i mallrave në çmimin e tyre.
Pa llogaritur vjedhjet e tmerrshme që po bëhen. Dumani mbylli dosjen e Olsi Ramës, e nxori tjetër.
Pra, Edi Rama duket se duhet me çdo kusht të kishte atë me të cilin ishte marrë vesh. Por u garantoj se nuk ka asnjë vështirësi të realizojë skenarin që realizoi me të parin. Nuk duhet të kemi iluzion. Pra, përpjekja ndërkombëtare ishte shumë e drejtë, që qeveria të mos kapë kryetarin e Prokurorisë Speciale. Por problemi nuk është aty, problemi është se pse Edi Rama do ta kapë me çdo kusht atë.
Ne jemi para një realiteti shumë të zymtë. Një realitet në të cilin vjedhja e shqiptarëve nuk ka më frena. Është licencë. Se kjo që bëri me pezullimin e pezullimit, gjykata mori përsipër Apelin dhe Gjykatën e Lartë dhe të pezullojë masën e sigurisë. Imagjinoni ju tani se çfarë i mbetet themelit. Nuk ka akt më të rëndë ndaj taksapaguesve shqiptarë se sa ky. Nuk ka veprim më dëshpërues se ky.
Nuk ka veprim më poshtërues se ky nga Edi Rama. Ndaj dhe kemi vetëm një rrugë, dhe kjo është rruga e protestave. Kjo është rruga e protestës, rruga e protestës. Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre. Sa janë ata që duan të flasin me protestën e tyre?
1 mijë? Ne në krye. 2 mijë? Ne në krye. 300? Ne aty. Por rrugë tjetër nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Duhet t’i shohim gjërat siç janë. Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës.















