Teksa e shoqëruan deri te selia blu, Sali Berisha iu drejtua protestuesve duke iu thënë që të shpërndahen për t’u rikthyer të hënën në protestën para parlamentit.
Më tej Berisha theksoi se janë të betuar dhe të vendosur për të vijuar revolucionin deri në përmbysjen e atij që e cilësoi monizmi në Shqipëri.
“Shpërndahemi pas i dhamë një mesazh të fuqishëm shprese, besimi, fitoreje, shqiptarëve në Shqipëri e kudo ndodhen. Pasi i dhamë mesazh të fuqishëm miqve tanë kudo në botë se revolucioni ynë është mision i shenjtë për demokraci e pluralizëm se këtë mision, se idealet tona nuk ka mision në botë që t’i mposhtë. Ndahemi tani të betuar, të vendosur më shumë se kurrë për të vijuar revolucionin për kauzën tonë të drejtë deri në përmbysjen e plotë të monizmit në Shqipëri.
I kërkoj policisë të lirojë menjëherë protestuesit, luftëtarët e lirisë, rezistentët paqësorë sepse çdo cënim i tyre, cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit kurse protestuesit si të persekutuar politik ju bëj thirrje ju të gjithë duke ju falenderuar që ndoqët këtë marshim me të cilët dhamë mesazhet e duhura. Ditën e hënën në orën 17:00, të gjithë para parlamentit. Parlamenti është i qytetarëve, jo bandës, jo trafikantëve, jo kriminelëve, jo atyre që shkelmojnë kushtetutën, që kanë pushtuar këtë institucion themelor të demokracisë. Le të vazhdojmë revolucionin e plotë”, tha Berisha.