Kryetari i PD, Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin për zgjedhjet lokale të 14 majit për bashkinë Klos, Bedri Hoxha.
Berisha tha gjatë fjalës së tij se sistemi i drejtësisë dhe institucionet e tjera janë në kontrollin e qeverisë.
Teksa e cilëson “Rilindjen” një sekt brenda PS, Berisha tha se zgjedhjet e 14 majit, janë më të rëndësishmet që nga viti 1992, pasi shoqëria shqiptaret po shkretohet e varfërohet çdo ditë.
“Jemi në prag të zgjedhjeve lokale, zgjedhim qeveritarët vendorë, por secili nga ne nëse ndalet e sheh Shqipërinë e shoqërinë si po rrokulliset e shkretohet, si varfërohet me shpejtësi, kupton që zgjedhjet janë më të rëndësishmet zgjedhjet që nga ’92. Zgjedhje për shpëtimin e Shqipërisë, vendimtare për të shpëtuar Shqipërinë nga monizmi. Ndodhemi sot para faktit kur të gjithë pushtetet i ka në dorë një njeri, një sekt brenda një partie që quhet Rilindje. Sot jemi dëshmitarë se e drejta në këtë vend nuk ekziston dhe qytetarët nuk fitojnë dot një gjyq, organet e drejtësisë seksione të PS. Sot jemi dëshmitarë se për një proces gjyqësor qytetari duhet të presë 10-15 vite, të paguajë vetëm për ta afruar”, tha Berisha.