Partia Demokratike ka mbajtur këtë të hënë protestën kombëtare, e inicuar në fakt pas ngjarjeve të fundit të lidhura me hetimin dhe masat e prokurorisë speciale ndaj Zv. Kryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij përpara pjesëmarrësve të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i PD Sali Berisha tha ndër të tjera kryeministri Rama duhet të largohet e se ai është në rrethim. “Nuk jep dorëheqjen ai, do ta heqim ne”, tha Berisha, ndërsa e konsideroi jashtëzakonisht të kënaqshme pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. “Pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e kënaqshme. Ishte historike edhe mbështetja, edhe entuziazmi, edhe të gjitha”, u shpreh ai.
Berisha njoftoi vazhdimin e protestave, ndërsa tha se në fokusin e tyre do të jenë parlamenti, kryeministria dhe Surreli.
“Bashkëluftëtarët e mi duhet të dinë të gjitha drejtimet se cilat do të jenë fushat e demonstratave dhe protestave të fuqishme të ardhshme. E thashë edhe njëherë, do jetë kryeministria, do jetë parlamenti, do jetë Surreli, se këto janë qëndrat e krimit.Ky parlament është i ndërtuar mbi farsën elektorale dhe është pushtuar komplet nga Edi Rama. Kryeministria është sot ndërtesë krimi të shëmtuar, të gjithanshëm, dhe Surreli, siç e patë ju, del me aferat më të paimagjinueshme, me pengmarrje dhe gjëra të tilla.Këto tre qendra do jenë në fokusin e popullit protestues. Me radhë. Me një fjalë, shpëtim nuk ka. Edi Rama është në rrethim, Edi Rama nuk ka shpëtim. Nuk jep dorëheqjen ai, do ta heqim ne”, tha kreu i PD në fjalën e tij..
Protesta e opozitës u mbyll tek selia e PD, ndërkohë që në largim, protestuesit hodhën molotovë para godinës së Kryeministrisë. /Opinion.al
















