Ish-kryeministri Sali Berisha në një prononcim të tijin ka shprehur mendimin e tij lidhur mbi atë që ndodhi në Francë dhe atë çfarë duhet të ndodhë më tej, në një botë e cila nuk ndihet më e sigurtë pas sulmeve të fundit në Paris.
“Me marrjen përsipër nga shteti Islamik i akteve terroriste në Paris mendoj se Shqipëria dhe çdo vend i lirë është shumë i kërcënuar nga shteti terrorist më i rrezikshëm i botës. Me sulmin ndaj Francës shteti terrorist i ka shpallur luftë NATO-s vendi ndër më kryesore i të cilës është Franca. Presidenti francez mendoj me shumë të drejtë konsideroi sulmin terrorist në Paris një akt lufte.”
Berisha thotë më tej se ky është vetëm fillimi i një lufte që duhet të përfundojë me shfarosjen e shtetit Islamik. “Uroj dhe shpresoj që NATO, Franca dhe jo vetëm Franca por dhe vendet e tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut nën udhëheqjen e SHBA ti pergjigjen aktit të luftës të shtetit terrorist me luftë totale dhe vendimtare, fshirjen e ketij shteti nga harta e botës, rivendosjen e plotë të sovranitetit të mbikqyrur të vendeve të pushtuara nga terroristët e shtetit Islamik në mënyrë që nga territoret e tyre të mos mundet kush të ndërmarrë sulme terroriste jo vetëm ndaj vendeve anëtare të NATO-s por ndaj asnjë vendi tjetër.”