Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se më 12 nëntor do të nisin protestat e opozitës. Teksa e cilësoi betejën më të madhe kundër regjimit të Edi Ramës, Berisha ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës më të madhe që do të njohë Shqipëria.
“Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare, nisin me datën 12 nëntor, betejën e madhe kundër regjimit të urryer, absolutar, regjimit të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të partisë shtet, regjimit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale, të krijuar nga vjedhjet e mëdha. Burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria, më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet “, tha Berisha.