Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një dalje për mediat, ditën e sotme, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Veri të Kosovës.
Berisha në fjalën e tij theksoi se propozimi i Ramës për mbajtjen e një konference ndërkombëtare paqeje për Kosovën është një ide e mbështetur nga Rusia.
Sipas tij, një konference e tillë, zhbën të gjitha ato ç’ka janë arritur deri tani në bisedime dhe kthen çështjen nga e para.
“Së dyti! Edi Rama nxori përsëri nga sirtarët, kërkesën për konferencë ndërkombëtare të paraqitur nga Beogradi dy vite më parë dhe të mbështetur fuqimisht nga Lavrov. Një konferencë ndërkombëtare për Kosovës ka qëllim vetëm të zhbëjë të gjitha ato që janë arritur dhe të shënojë një fillim nga e para për llogari të nacionalizmit serb.
Komuniteti ndërkombëtar ka treguar angazhim maksimal. Vetë kancelari Scholz, presidenti Macron, sekretari Blinken, janë angazhuar direkt. Vetë plani franko-gjerman është dorëzuar. Edi Rama në parashtresën e tij fajëson Kosovën për mos zbatimin e këtij plani, në një kohë kur kryeministri i Kosovës në Ohër ishte i gatshëm ta firmoste, kurse homologu i tij, serbomadhi Vuçiç deklaroi se, unë nuk e firmos kurrë atë.
Duke kërkuar konferencë ndërkombëtare, Edi Rama përsëri mendon se refuzimi i Serbisë i çdo opsioni tjetër përveç se, i një republike serbe të tipit të asaj të Bosnjes në Kosovës, do mund të shkohet drejt shpërbërjes së Kosovës dhe ndarjes së saj mes Serbisë dhe Shqipërisë”, – tha Berisha.