Pas deklaratës së ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili u shpreh se pas dorëheqjes si kryetar i komanduar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj do të jetë i përjashtuar nga partia njësoj si Basha, ka reaguar vetë Alibeaj.
Në një status në rrjetin social “Facebook”, Alibeaj e cilësoi Berishën, humbësin më të madh të zgjedhjeve të 14 Majit.
Sipas tij Berisha ka gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës.
“Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës”-shkruan Alibeaj.