Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar se qeveria e PD, në rast se vjen në pushtet, do të ndalojë me ligj veprimtarinë e fondacionit Soros në Shqipëri.
Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha foli për “desorosizimin” e Shqipërisë, dhe sipas tij kjo do të bëhet me ligj.
“Do të ndalohet veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri, si një rrezik i vërtetë kombëtar. Me ligj do ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane. Me ligj do garantohet se kurrë qoftë dhe në referendum, nuk do mundet kush kurrë të luajë me familjen, me prindin, me gjininë, përveç atyre që ka përcaktuar Zoti dhe natyra. Është e domosdoshme të shumëfishojmë energjitë, forcat, për një bashkim të madh dhe të fuqishëm me të gjitha forcat politike që ndihen të përgjegjshme para qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati bëri thirrje për bashkim gjithëpërfshirës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit kundër qeverisë socialiste.