Kryedemokrati, Sali Berisha u shpreh se Chris LaCivita e bëri të qartë se partneri i SHBA në Shqipëri është Partia Demokratike.
Në një konferencë me mediat, Berisha tha se ai erdhi në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar të kohës për të ndihmuar PD-në dhe opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale.
“Zhvillimet e kohës që nuk kemi komunikuar kështu direkt bashkë, kanë qenë ndër më të fuqishmet, por kanë qenë edhe përcaktuese në një mënyrë apo një tjetër për zhvillimet në Shqipëri dhe të ardhmen e saj. Së pari, këto ditë zbarkoi në Shqipëri kryestrategu i rikthimit më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është Chris LaCivita.
Ai erdhi në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar të kohës për të ndihmuar PD-në dhe opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale. Por ai erdhi në Shqipëri me mesazhin e qartë si kristali, si kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan se Edi Rama është kukulla e Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe në botë.
Se kukulla e Sorosit nuk mund të jetë një partner për SHBA-në dhe se partneri i SHBA në Shqipëri, i Partisë Republikane, është Partia Demokratike dhe Sali Berisha.
Siç ai u shpreh, njeriu që pësoi persekutime të ngjashme dhe qëndrime të ngjashme me ato që ekstremi i majtë mbajti në SHBA ndaj presidentit Donald Trump”, tha Berisha.