Deklarata të forta ka dhënë kreu i PD, Sali Berisha, ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.
Berisha tha se një betejë e ashpër ka shpërthyer mes klaneve mafioze të pushtetit.
“Tani beteja nuk është më vetëm mes nesh dhe mafias shtetërore, por betejë e ashpër ka shpërthyer mes klaneve mafioze të pushtetit.
Të gjithë kësaj stuhie të pashembullt ndonjëherë në të cilën ne përdorëm si mburojë, instrument, mjet, lirinë dhe vetëm lirinë e anëtarëve tanë. Votën e lirë të tyre.
Kjo betejë u kurorëzua me primaret për qytetarët të parë të bashkive tona, nga anëtarësia dhe simpatizantët tanë. Sot të gjithë kandidatët tanë për primare vijnë produkt i votës së anëtarësisë dhe simpatizantëve tanë. Sot ata vijnë dhe paraqiten me një dinjitet të madh para qytetarëve shqiptarë.
Krahasoni rivalët e tyre se si dalin nga shpella e mafias. Nëse në Tiranë shkëlqeu një garë e hapur mes 7 kandidatëve, të vetëdeklaruar, propozuar, mbështetur nga ju, në krahun tjetër bëhet një betejë e koskave mafioze që pasqyrohet në tërë veprimtarinë e saj”-tha Berisha.