Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka mbajtur fjalën hapëse në mitingun përmbyllës të kësaj fushate elektorale.
Këlliçi u shpreh se PD është partia e vetme që të pamundurën e bën realitet, ndërsa theksoi se 11 maji nuk është vetëm betejë politike, por është lufta për demokracinë dhe për Shqipërinë.
Pjesë nga fjala e Belind Këlliçit:
“Edi Rama nga paniku se ky bulevard do të mbushej, ka bllokuar rrugët që në orët e para të mëngjesit. Pro, demokratët e gjetën rrugën për tu mbledhur bashkë, për të ardhur në këtë bulevard dhe për ta bërë më të bukur se kurrë. Fitorja është e jona.
Prezenca juaj madhështore është dëshmi e forcës tonë dhe provë e besimit tuaj. Pas vetëm 48 orësh Shqipëria do të jetë një vend më i mirë dhe kjo të dashur miq është vepra juaj, ju do ta bëni të tillë. Ju qytetarët e lirë që rezistuat.
Ne PD jemi partia që të pamundurën e bëjmë realitet. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por lufta e duhur për dinjitetin tonë, për demokracinë, për Shqipërinë tonë. Për të ardhmen që vendosim ne”, tha Këlliçi.