Greva ka prekur rëndë transportin, shkollat, spitalet dhe shërbimet publike, dhe pasoja e saj do të ndihen edhe në Gjermani. Kështu disa nga trenat ICE në linjën e ngarkuar Bruksel-Këln u anuluan. Sipas agjencisë së lajmeve Belga transporti publik do të jetë veçanërisht i prekur prej grevës që vazhdon deri të mërkurën.
Pas grevës së hekurudhave gjatë ditës së hënë, të martën grevave në Belgjikë do t’u bashkohen personeli i spitaleve, punonjësit e kopshteve dhe mësuesit. Në grevë pritet të marrin pjesë edhe punonjësit e sektorit publik të shërbimeve postare, të pastrimit dhe mbledhjes së mbeturinave si dhe të transportit lokal.
E mërkura pritet të sjellë ndikimin më të madh, pasi grevës së përgjithshme mbarëkombëtare do t’i bashkohen edhe sindikatat e sektorit privat. Dy aeroportet më të mëdha të vendit, Bruksel-Zaventem dhe Charleroi, njoftuan se të mërkurën nuk pritet të ketë nisje fluturimesh. Edhe fluturimet që mbërrijnë ka të ngjarë të preken gjithashtu për shkak të grevave të personelit të sigurisë dhe atij të aeroportit.
Pse janë punëtorët në Belgjikë në grevë?
Sindikatat e akuzojnë koalicionin e qendrës së djathtë të kryeministrit, Bart de Wever, se po nxit atë që ata e quajnë “çmontim social”. Qeveria pesëpartiake arriti brenda natës një marrëveshje shumëvjeçare për buxhetin, përfshirë edhe kursime buxhetore prej 9.2 miliardë eurosh deri në vitin 2029.
Qeveria belge e mbrojti programin e saj të kursimeve, duke thënë se duhet të ulë shpenzimet me rreth 10 miliardë euro deri në vitin 2030 për të përmbushur rregullat e borxhit dhe deficitit të BE-së. Belgjika mbetet një nga shtetet anëtare me më shumë borxhe në BE. Në të njëjtën kohë angazhimet e NATO-s kërkojnë që vendi të rrisë ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes në vitet e ardhshme.
Presioni publik mbi qeverinë është rritur. Në tetor në Bruksel demonstruan kundër shkurtimeve të planifikuara rreth 100.000 vetë. Sindikatat thonë se grevat e kësaj jave kanë për qëllim ta detyrojnë qeverinë të rishikojë reformat, megjithëse zyrtarët nuk janë shprehur për ndonjë ndryshim kursi.














