Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj nxiti zyrtarët në Kosovë që të ndjekin rekomandimet e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për procesin e dialogut me Serbinë.
“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, kemi nevojë për miq dhe mbështetje”, tha Presidenti Begaj në një intervistë për Zërin e Amerikës duke shtuar se Shqipëria mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Sa i përket çështjes së arrestimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, që ka çuar në acarim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, Presidenti Begaj tha se duhet pritur vendimi i drejtësisë, duke shprehur besim tek pavarësia e saj. “Kur të flasë drejtësia, më pas ne mund të veprojmë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Lidhur me marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, Presidenti Begaj tha se po vlerëson kërkesën e Ministrisë së Jashtme për autorizim për nisjen e negociatave dhe se një grup ekspertësh i Presidencës dhe kësaj ministrie po punojnë për të arritur një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
—
Zëri i Amerikës: Zoti President, në fjalën tuaj në Asamble ju kërkuat njohjen e Kosovës, nga ato vende që nuk e kanë bërë ende. Megjithatë, Kosova po kalon tani një moment delikat. Kohët e fundit janë shtuar përplasjet mes Prishtinës dhe Brukselit pas kritikave të kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësuesve europianë, ndërkohë që si BE ashtu dhe SHBA-të, duken të zhgënjyera nga qasja e Prishtinës? Ju si e shikoni situatën e krijuar?
Presidenti Begaj: Përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj do doja ta filloja intervistën time duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të koleges tuaj, familjares së rregullt, kontributores së Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi.
Për mua ajo do mbetet shembull frymëzimi për gjithë gazetarët jo vetëm të Zërit të Amerikës, por gazetarëve dhe medias në gjithë Shqipërinë.
Për të ardhur tek përgjigja e pyetjes suaj, unë në çdo takim që kam zhvilluar si kryetar i shtetit, me çdo partner ndërkombëtar, në çdo organizatë ndërkombëtare, kam shprehur nevojën e mbështetjes së Kosovës jo vetëm si mbështetje morale, por edhe në drejtim të njohjeve të reja.
Në fakt mbështetja e Kosovës është domosdoshmëri, domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, për faktin që faktori shqiptar është një faktor i rëndësishëm për paqen, për sigurinë, mirëqenien dhe për zhvillimin e qëndrueshëm.
Faktori shqiptar e ka në ADN-në e vet frymën europiane dhe rrugëtimin euroatlantik.
Gjatë kohës që Shqipëria ka mbajtur pozicionin e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithmonë ka bërë thirrje në mbështetje të Kosovës dhe për njohje të reja të Republikës së Kosovës.
Është detyrë e çdo qytetari, e çdo shtetari, që të mbështesin Kosovën.
Për të ardhur në situatën e tanishme, Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik.
Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik.
Zëri i Amerikës: Zoti President, arrestimi i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka sjellë një acarim të dukshëm në marrëdhëniet e vendit tuaj me Greqinë. Si i konsideroni qëndrimet e Athinës, e cila kërkon lirimin e zotit Beleri, flet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërcënon me bllokimin e integrimit të Shqipërisë?
Presidenti Begaj: Unë do të thoja që marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë marrëdhënie të një partneriteti strategjik dhe kuptohet që bazohen në vlerat më të mira të fqinjësisë dhe të respektit reciprok të njëri-tjetrit.
Unë kam pritur në zyrën time kryeministrin e Greqisë, kemi diskutuar hapur për çështje të vjetra dhe të reja. Kjo çështje që ju përmendët nuk është në dorën e Presidentit, as të ndonjë personaliteti tjetër, mendoj se kjo çështje ka lidhje me drejtësinë dhe duhet ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Kur të flasë drejtësia, më pas ne mund të veprojmë.
Drejtësia në Shqipëri, pas reformës të bërë me konsensus të plotë politik, është në rrugën e duhur, dhe është e pavarur.
Zëri i Amerikës: Zoti President, një tjetër çështje që lidhet me Greqinë është ajo e marrëveshjes për kufirin detar. Palët kanë rënë dakord për dërgimin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ministria e Jashtme ka kërkuar nga ju autorizimin për nisjen e negociatave. Ju dhe së fundmi keni deklaruar se po e shqyrtoni kërkesën, e cila është paraqitur para 4 muajsh. A ka diçka që nuk shkon?
Presidenti Begaj: Vlerësimi i kërkesës së bërë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është çështje kohe, vlerësimi duhet bërë bazuar tek disa kërkesa ligjore dhe kushtetuese që duhet të përmbajë autorizimi në fjalë. Natyrisht Presidenti e ka detyrim kushtetues ta përmbushi këtë detyrim ligjor dhe kushtetues, për çdo negociatë, për çdo marrëveshje ndërkombëtare, në momentin që bëj vendimmarrjen e duhur, do ia bëj me dije publikut, dhe juve.
Zëri i Amerikës: Keni patur ju gjatë kësaj kohe komunikime me Ministrinë e Jashtme për elemente që lidhen me kërkesën për autorizim dhe jemi afër përgjigjes suaj?
Presidenti Begaj: Po ne kemi ngritur një grup ekspertësh të cilët po shikojnë dhe po ndërveprojmë me njëri-tjetrin për të gjetur modalitetet e duhura dhe për të arritur një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Zoti President, në muajin korrik parlamenti në Shqipëri miratoi disa projektligje, të cilat u shoqëruan me debate jo të zakonta, atë që lidhet me detyrimin e studentëve të Mjekësisë për të qëndruar disa vite në Shqipëri pas mbarimit të universitetit, ligji për kanabisin mjekësor, apo dhe ai për Akademinë e Shkencave. Ju i kaluat këto ligje në heshtje. Pse zgjodhët këtë qasje, cili ishte mesazhi që ju synonit të përcillnit?
Presidenti Begaj: E vërtetë që parlamenti në muajin korrik kaloi tre ligje të cilat kanë pasur diskutime publike. Mekanizmi kontrollues kushtetues i presidentit në rastin në fjalë, për çdo ligj që miratohet nga parlamenti, është që t’i përmbahet strikt kushtetutës. Dhe nuk mund të niset vendimmarrja nga opinione personale, apo opinione politike. Çdo ligj i miratuar nga Kuvendi, i nënshtrohet një prcesi të rregullt, i cili shikon nëse ky ligj është në përputhje të plotë me kushtetutën. Asnjë prerogativë tjetër nuk mund të ndikojnë në vendimmarrjen e presidentit. Për ligjet që ju përmendët, dhe më saktë për ligjin për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, unë personalisht bëra një takim me ta, të cilët e shikojnë ligjin nga shkelja e të drejtave të tyre.
Ndërkohë që qeveria nga ana tjetër e shikon ligjin nga një interes madhor publik, që qytetarët shqiptarë të kenë mbulim me shërbim shëndetësor. Kjo lloj kontradikte, nëse do të kishte një vendimmarrje të presidentit, qoftë në rast të dekretimit, qoftë në rast të kthimit mbrapsht në parlament, do të kishte një ndikim joproporcional ligjor për secilën palë. Kështu që në këtë rast, unë vendosa që të mos mbaj anë dhe t’i lë mundësinë palëve të interesuara të angazhohen në një mekanizëm tjetër kontrollues kushtetues, që mund të jetë Gjykata Kushtetuese.
Por, heshtja ime në këtë rast, nuk ka të bëjë me faktin që ishte një mosvendimmarrje e presidentit. Kishte të bënte me faktin e këtyre dilemave kushtetuese që Presidenti kishte. Për sa i përket ligjit tjetër…
Zëri i Amerikës: … të kanabisit mjekësor
Presidenti Begaj: …Ligji i kanabisit mjekësor në fakt nuk kishte ndonjë shkelje kushtetuese, nuk kishte mospërputhje mes ligjit dhe kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dilema kushtetuese në rastin e ligjit të kanabisit kishte të bënte fjalë me aktet normative, të cilat duhet të ishin përfshirë në ligj, të cilat janë lënë për t’u përfshirë në një moment të dytë me akte të qeverisë. Kështu që, për këtë qëllim mbajta qëndrimin e heshtjes. Për sa i përket ligjit tjetër, të Akademisë së Shkencave, në fakt këtu nuk kishte… Kur shikohet një ligj, ankesa që më erdhi mua në Presidencë, nga disa aktorë publikë kishte të bënte me disa shkelje proceduriale. Shkelje proceduriale që në fakt, nëse ato kanë sjellë shkelje të kushtetutës, ka nevojë për një qëndrim të presidentit. Në rastin konkret u vlerësua që shkeljet proceduriale nuk kishin të bënin me shkelje kushtetuese. Në rastin që opinioni publik pret që ta shikojë presidentin në një konflikt direkt me parlamentin për kthimin e një ligji apo për një konflikti jo të argumentuar ligjërisht. Kështu që në këtë rast kishte vetëm shkelje të procedurave, të cilat shumë mirë deputetët mund t’i kishin shfrytëzuar sipas procedurës parlamentare dhe rregullores së parlamentit që është e miratuar unanimisht nga vetë deputetët.
Zëri i Amerikës: Zoti President, gjatë ditëve të qëndrimit tuaj këtu në Shtetet e Bashkuara ju keni patur gjithashtu edhe një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan, që ndër të tjera, kanë kërkuar realizimin e votës së emigrantëve. A mendoni ju se në zgjedhjet e ardhshme, emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës?
Presidenti Begaj: Patjetër që gjatë qëndrimit tim në Nju Jork nuk mund të lija pa takuar pjesën e diasporës shqiptare që e vlerësoj shumë për energjitë që ka, për idetë që ka, dhe mundësitë e reja që ajo sjell. Që në muajt e parë të fillimit të punës time kam bërë takim me diasporën shqiptare dhe kam elaboruar me ta kërkesën e tyre të drejtë për të votuar në Shqipëri. Kjo kërkesë është drejtuar edhe parlamentit të Shqipërisë dhe besoj se komisioni i reformës zgjedhore, i cili do të ngrihet besoj këtë muaj, do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që deri në fund të vitit duhet t’i jepet e drejta për të votuar diasporës shqiptare. Është një e drejtë e shprehur në kushtetutë dhe besoj se duhet realizuar./ VOA