Aktualitet

Begaj konferencë me Mattarellën: Mirëpresim prezencë të shtuar të biznesit italian



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:30 - 08/09/22 |
Opi Nion

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi një konferencë të përbashkët me presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.

Gjatë fjalës së tij, Begaj tha se prioritet i dy vendeve është bashkëpunimi politik, ekonomik dhe institucional.  Më tej, Begaj tha se me presidentin italian u diskutua dhe për bashkëpunim në fushën e energjisë, që sipas tij është një projekt me rëndësi për Shqipërinë dhe rajonin.

Po ashtu, Begaj bëri me dije se u diskutua dhe për bashkëpunimin ndër-institucional, bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese, si dhe bashkëpunimi në një sërë nismash rajonale dhe ndërkombëtare për të konsoliduar lidhjet mes vendeve dhe për të ndërtuar një rajon dhe Evropë në paqe dhe mirëqenie.

“Ndamë sot me Presidentin Mattarella mendimin, se vizitat e shpeshta në nivele të larta, janë jo vetëm shprehje e vëmendjes së politikës së jashtme të dy vendeve tona, pavarësisht qeverive në pushtet, por edhe rëndësisë prioritare që i japim forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politike, ekonomike, parlamentare, institucionale, kulturore.

Në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një  mike të vyer dhe mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që politika e jashtme italiane, prej vitesh, e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që kërkon përkushtim të shtuar në një proces transformues për të gjitha institucionet dhe ekonominë tonë.

Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi.

Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar.

Me Presidentin Mattarella ndamë përkushtimin, që institucionet tona duhet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, për të shfrytëzuar çdo potencial bashkëpunimi me interes për të dyja palët.

E sigurova Presidentin, se ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian dhe vlerësojmë kontributin e sipërmarrjeve italiane në zhvillimin e vendit.

Komisioni i Parë i Përbashkët Ekonomik i zhvilluar në Romë vitin e kaluar, është një instrument i rëndësishëm në identifikimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe eliminimin e pengesave për bashkëpunim.

Financimi i programeve që synojnë konsolidimin e sistemeve të prodhimit, lidhjen me rrjetet rajonale të infrastrukturës, promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale – së bashku me ato arsimore dhe shëndetësore – shihen me rëndësi për zhvillimin e vendit.

TAP-i është një instrument me peshë strategjike,  jo vetëm për vendet tona, por për gjithë rajonin dhe BE-në, duke qenë se na bën komplementarë në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe rritjes së sigurisë energjetike. Bashkëpunimi dhe projektet e deritanishme në sektorin e gazit dhe atë hekurudhor, janë me rëndësi dhe ofrojnë hapësira për eksplorim të mëtejshëm.

Bashkëpunimi ndër-institucional ka pasur zhvillime pozitive në vitet e fundit, me negocimin e disa marrëveshjeve, si ajo për njohjen e lejeve të drejtimit apo dhe marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore (pensioneve), etj.  Për këtë të fundit, i kërkova Presidentit mbështetje që të përmbyllet sa më parë dhe të pasohet me të tjera nisma, që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë.

Një fushë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit, për të cilën biseduam, është ajo ndërmjet agjencive ligjzbatuese – të dyja palët e konsiderojmë shumë të rëndësishëm vijimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, tashmë të konsoliduar, në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, goditjen e organizatave kriminale në Shqipëri dhe Itali, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit, etj.

Vendet tona bashkëpunojnë në një sërë nismash rajonale dhe ndërkombëtare – Nisma Adriatiko-Joniane, CEI, Procesi i Berlinit dhe nisma të tjera rajonale, të gjitha forume të rëndësishme për të konsoliduar lidhjet mes vendeve dhe ndërtuar një rajon dhe Evropë në paqe dhe mirëqenie”, u shpreh Begaj./Opinion.al

Pas