Lidhur me rastin e së hënës ku dy persona në Orosh u arrestuan pas 12 orëve mosbindje ndaj policisë, Eugen Beci flet në emisionin “Opinion” në Tv Klan për arrestimin e mëparshëm të njërit prej tyre, Erzen Ukës. Ish-prokurori e ka hasur këtë rast më parë në vitin 2019 dhe thotë se ishte përkrahës, nxitës dhe simpatizant i organizatave terroriste.
Beci thotë se Uka ishte person i radikalizuar, ndërsa bën thirrje se në Shqipëri nuk duhet të bjerë vigjilenca për luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar. Ai shton se ky rast është tregues që përgatitja e mirë ushtarake nuk ka të njëjtin nivel në aspektin psikologjik duke ndikuar në radikalizmin e ushtarakëve që dërgohen në misione.
Zbulimet e atëhershme në rrjetet sociale përkojnë me videot që ai postonte ende, po ashtu edhe fakti që iu gjetën municione në banesë.
Blendi Fevziu: Ju keni pasur raste të ngjashme?
Eugen Beci: Kam pasur këtë person.
Blendi Fevziu: Erzen Ukën?
Eugen Beci: Në prill të vitit 2019, ka qenë data 12 prill e vitit 2019, forcat e Drejtorisë së Antiterrorit në Tiranë e kanë arrestuar si person që ishte përkrahës, nxitës i organizatave terroriste dhe mbi të gjitha ishte simpatizant dhe ndërmerrte veprime konkrete të propagandimit, jo deri te rekrutimi. Këtij personi i janë gjetur municione në banesë, nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet amerikane të drejtësisë kemi zbërthyer Facebook-un e personit sepse ka një procedurë ligjore që duhet ndjekur me gjykatë.
Blendi Fevziu: Çfarë gjetët në Facebook?
Eugen Beci: Gjetëm të gjitha videot që ju thoni, ishin në kuadër jo të demonstrimeve të veprimeve ushtarake, por ishin siç parashikon Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, stërvitje me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste. Nuk është se ai përgatiste vetëm fëmijët e tij.
Blendi Fevziu: Sa është dënuar?
Eugen Beci: Ky është dënuar tre vjet në atë kohë për dy veprat penale që kishte, stërvitje për veprime terroriste dhe nxitjen e urrejtjes.
Blendi Fevziu: Çfarë personi ishte?
Eugen Beci: Person i radikalizuar. Në Drejtorinë e Antiterrorit është profilizuar si njeri që nxit urrejtje fetare në të gjitha format duke krijuar edhe një zinxhir për të cilin unë dua të flas sot. Fakti që ky person është aktiv ende, pavarësisht dënimit që ka marrë, tregon që në Shqipëri asnjëherë nuk duhet të bjerë alerti për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar sepse duket sikur ka ngelur e vetme Drejtoria e Antiterrorit dhe Policia e Shtetit. Tërë organet ligjzbatuese duhet të jenë aktive.
Blendi Fevziu: Nga vinte background-i i tij?
Eugen Beci: Ka qenë pjesëtar i Forcave të Armatosura, ka qenë në një mision të ushtrisë shqiptare në Afganistan, është një person që duhet të kuptojmë që është rasti i disatë që na ndodh me disa ish-ushtarakë ku autoritetet shqiptare duhet ta mësojnë personin të qëllojë jo vetëm me armë, por me tru sepse i përgatisin shumë mirë ushtarakisht, por nga ana psikologjike është i disati rast që shkojnë andej dhe radikalizohen. Kjo tregon një alert shumë të madh edhe për përgatitjen e tyre. Ndodh edhe në vende të tjera, por e rëndësishme është që këta persona që vijnë në Shqipëri kanë krijuar probleme shumë të mëdha sa i përket radikalizimit dhe stërvitjes për qëllime terroriste. Asnjëherë ky rrezik, unë e them me bindje, nuk ka për të ikur dhe rasti i djeshëm e tregoi këtë fakt.














