Pas sukseseve të njëpasnjëshme që këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka përjetuar në karrierën e saj, BBC i ka kushtuar së fundmi një artikull ku flet për të gjithë karrierën e saj që filloi si një tekstshkruese e disa prej hiteve më të njohura në botë si ‘Monster’ e Rihannës dhe Eminem ‘Me Myself and i’ i G Eazy etj.
Siç ka shkruar dhe media e njohur Bebe edhe pse ka pasur një rrugë të vështirë drejt suksesit, ajo kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj dhe vazhdoi për 10 vite me radhë të trokiste në dyert e ndryshme për të marrë atë që meritonte.
Ndër të tjera shkruhet se ashtu si Rita Ora dhe Dua Lipa dhe Bebe është pjesë e pushtimit shqiptar në listat botërore.
“Ka diçka në ujin e shqiptarëve. Ne jemi të fortë, jemi të ndërtuar si kuajt dhe ne mund të përballojmë çdo gjë”, thotë Bebe Rexha plotë krenari për shqiptarët.
Gjithashtu në artikull është përmendur edhe historia e babait të këngëtares, zotit Flamur, i cili la Shqipërinë kur ishte vetëm 21-vjeç dhe ka punuar fortë që familjes së tij mos t’i mungojë asgjë. Por ndonëse Bebe tashmë është një nga këngëtaret më të njohura, familja e saj në fillim nuk ka dashur që vajza e tyre të merret me muzikë.
“Muzika shikohej si diçka e keqe. Babai më thoshte: ‘Kjo është karriera e djallit’”, ka treguar Bebe.