Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi BE miratoi certifikatat shqiptare COVID të vaksinimit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky është një shembull kuptimplotë i progresit digjital të Shqipërisë.
“SUPERLAJM. Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Europë me pasaportën digjitale të vaksinimit. BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembull kuptimplotë të progresit tonë digjital, për të gjithë ata që dëshirojnë t’u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka”, shkruan Rama.
Përmes certifikatës së vaksinimit, dokumentet e lëshuara nga autoritetet shqiptare që vërtetojnë vaksinimin, testet apo shërimin nga koronavirusi do të njihen në të gjitha vendet anëtare të bllokut, por edhe në disa të tjera jashtë unionit. Në të njëjtën kohë, edhe Shqipëria duhet të pranojë dhe njohë certifikatën digjitale për Covid për udhëtimet nga BE.