Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj 22 zyrtarëve të ushtrisë bjelloruse për shkak të rolit të Minskut në ndihmën e Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Gjashtë gjeneralë dhe 16 kolonelë i janë shtuar listës së zezë të BE-së për shkak se “Bjellorusia po merr pjesë në pushtimin e paprovokuar rus kundër Ukrainës, duke lejuar agresion ushtarak nga territori i saj”, thuhet në dokumentin e sanksioneve, raporton AFP.
Personave të sanksionuar po ashtu do t’iu ndalohet udhëtimi në bllok dhe asetet e tyre do t’iu ngrihen.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në mëngjesin e 24 shkurtit, duke përdorur territorin bjellorus për të dërguar trupa në Ukrainë. Bjellorusia ka thënë se nuk po merr pjesë në pushtimin ushtarak.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Minskut për shkak të rolit të tij në luftën në Ukrainë.