“Do të përmbahem nga komentimi mbi këto deklarata, përveçse për të konfirmuar se jemi shumë krenarë dhe mirënjohës që kemi udhëheqës të shkëlqyer, duke filluar me udhëheqësen e këtij institucioni, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Jemi vërtet krenarë për ata që na udhëheqin në adresimin e shumë sfidave me të cilat përballet bota.”
Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian Paula Pinho, e pyetur në konferencën e përditshme për shtyp në lidhje me sulmet e Trump se BE-ja është një grup kombesh në rënie të udhëhequra nga njerëz të dobët.
“Ndjenja e miliona evropianëve është e qartë: ne jemi krenarë për udhëheqësit tanë. Ne kemi shumë udhëheqës të tjerë në krye të 27 Shteteve Anëtare që janë pjesë e këtij projekti evropian, këtij projekti paqeje dhe që po e udhëheqin Unionin me vendosmëri përballë të gjitha vështirësive që po përjetojmë, brenda dhe përtej fqinjësisë sonë. Në vitet e fundit, jemi përballur me një numër të madh sfidash: nga lufta që përfshin fqinjin tonë, Ukrainën, deri te kriza energjitike që e ndjemë kaq fort dhe të cilën arritëm ta kapërcejmë së bashku.”,-tha Pinho.















