TIRANE- Tre ditë pas përmbytjeve të së dielës, sot parashikohet rrebesh shiu në Tiranë, duke rrezikuar sërish që shumë rrugë apo banesa të jenë nën pushtetin e ujit. Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe Bashkia.
Sa i përket rrugëve problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, bashkia ka listuar rrugën “Siri Kodra” (segmenti te “Frigoriferi”), pastaj “Don Bosko”, Rruga e Kavajës, “Imer Nregjoni”, rr. “Bardhyl” (segmenti ku kryqëzohet me rr. “Qemal Stafa”), Unaza (segmenti “Vasil Shanto”-“21 Dhjetori”), rr. “Myslym Shyri” dhe rruga e Dibrës.
Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës u bën thirrje të evitojnë lëvizjet me urbanë, të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës.
“Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative”, përfundon deklarata e bashkisë.