Një aksident fatal në punë e la një grua të ve dhe me dy fëmijë të vegjël për të rritur. Pa të ardhura ekonomike, pa shtëpi apo përkrahje, ajo i rriti dy fëmijët me sakrifica të mëdha. Është kjo historia e fundit për këtë sezon në rubrikën “Shihemi në gjyq”. Sanija ka sjellë përballë saj vjehrrin Nazmi, të cilin e akuzon se nuk është përgjigjur për të dhe dy fëmijët jetimë, duke i lënë ata në mëshirë të fatit.
Bashkëshorti i saj humbi jetën në vitin 2007, gjatë kohës që punonte për rikonstruksionin e një rruge në Sauk. Atë e zuri poshtë një masiv dheu, duke i marrë jetën. Ai kishte qenë punëtor i dy shoqërive.
Në atë kohë, Sanija kishte dy fëmijë të vegjël, djalin 6 vjeç dhe vajzën 5 vjeçe. Ajo nuk u martua kurrë dhe i qëndroi besnike mbiemrit të burrit të saj. Megjithatë nga familja e të ndjerit nuk mori të njëjtën gjë. Me kalimin e viteve, Sanija e gjeti veten në shtëpi me qira dhe e vetme, pa asnjë lloj mbështetjeje.
Edhe dëmshpërblimin që i takonte, nuk e mori kurrë. E tronditur nga humbja e madhe dhe pa ditur se çfarë të bënte, në kohën kur ndodhi tragjedia, me këtë çështje u mor vjehrri i saj Nazmiu. Ky i fundit u mjaftua me një premtim dhe kur çështja u pushua nga prokurori, nuk i shkoi më nga pas. Sot Sanija kërkon një shtëpi për fëmijët e saj, ndërsa vjehrrin e akuzon se bashkë me 6 fëmijët e tij të tjerë nuk kanë bërë asgjë për dy nipërit jetimë. Edhe për dëmshpërblimin Sanija fajëson vjehrrin. Sot ajo kërkon shtëpi për fëmijët e saj.
Sanija: Unë jam pa shtëpi, me qira, me dy jetimë. Vjehrrin e kam sjellë sepse ai ka folur me ata.
Nazmiu: Për mbështetje shpirtërore, morale e këto unë jam gjithmonë gjysh, mirëpo mundësi ekonomike…
Sanija: Emri gjysh e ke, por fëmija do shtëpi. Unë jam pa shtëpi. Vjehrri të merret me këtë çështje, sepse vjehrri ka firmosur, i kanë premtuar shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve. Nuk janë përgjigjur për asgjë. Unë dua shtëpinë, unë jam rrugëve. Ata fëmijë duhen shkolluar, me çfarë t’i shkolloj unë 200 mijë lekë rrogë marr, 120 është qiraja.
Eni Çobani: Ke pasur një shtëpi me burrin tënd?
Sanija: Kam pasur një shtëpi shumë të vjetër. 3 vjet pas vdekjes së burrit unë u largova, sepse në atë shtëpi ku banoja unë, banonte edhe lopa, bashkë me fëmijë e mi. U detyrova dhe ika me qira.
Eni Çobani: Si qëndronte edhe lopa?
Sanija: Me atë shtëpi ku rrija unë, rrinte edhe lopa prapa.
Nazmiu: Unë nuk e kam hedhur rrugëve.
Sanija: Po përderisa nuk kam shtëpi, unë rrugëve jam. A ishte djali jot bashkëshorti im që la jetën atje? Djali jot ishte.
Përpara se të vdiste, bashkëshorti i saj kishte nisur të ndërtonte dy prej dhomave të banesë së shkatërruar ku jetonin. Kur vdiq, Sanija u kërkoi herë pas here vjehrrit e vjehrrës që ta ndihmonin që të mbyllte të paktën 2 dhomat. Kjo nuk u arrit dhe në këto kushte ajo shkoi në një banesë me qira.
Kërkesa e Sanijes për vjehrrin është një banesë për fëmijët e saj. Por Nazmiu thotë se nuk ka mundësi dhe se shtëpia ku qëndron është e fëmijëve, të cilët jetojnë në emigracion dhe “vuajnë për bukën e gojës”. Por kjo deklaratë bie në kundërshti kur në studio mësohet se banesa është një vilë 3 katëshe dhe brenda saj jetojnë vetëm 3 persona.
Eni Çobani: Ka mundësi të më thuash, këta fëmijët e tu që jetojnë për bukën e gojës në Francë, apo kudo tjetër, si është e mundur që të ndërtojnë një vilë me tre kate? Ka mundësi të më japësh këtë përgjigje.
Nazmiu: Vilë 3 katëshe e kanë ndërtuar para se të ndodhte fatkeqësia e këtij djali.
Eni Çobani: Po kanë pasur para pra.
Nazmiu: Po kanë pasur para se kanë punuar. Unë nuk mund t’u them atyre përse bën vilën.
Eni Çobani: Po 100 mijë të vjetra për fëmijët e kësaj zonje…
Nazmiu: Me 100 mijë lekë po punoj unë, roje bëj unë në një objekt.
Eni Çobani: Zoti Nazmi, nuk mundet që një gjysh, edhe njëherë po ju bëj thirrje, të flasë si ju. Të më falësh. Edhe nëse merr 100 mijë lekë zotëri, ti ha 10 dhe 90 ia jep fëmijëve të kësaj zonje, ky është gjyshi. Nuk mund të hash ti dhe fëmijët të rrinë pa bukë, nuk mundet. Unë dua të të nxjerr një gjysh ndryshe… Ti paske 100 mijë lekë, ha bukë, kjo zonja merr 200 mijë lekë, paguan qira, se nuk po e themi punën që bën, ti e di çfarë pune bën, nuk po e themi këtu. Një punë shumë të vështirë dhe ka rritur 2 fëmijë.
Nazmiu: Punë të zgjedhur nuk ka, siç punoj unë roje atje, në këtë moshë.
Eni Çobani: Roje është një gjë tjetër dhe të punosh nga mëngjesi në darkë, jo një shpi, po disa shtëpi, është një gjë tjetër. Tani se më detyron të ta them të gjithë panoramën. Dhe të rrisësh edhe 2 fëmijë, vetëm, pa burrë dhe asnjë të ardhur dhe me qira. Tani ti gjyshi me gjyshen që jeton në një vilë me 3 kate dhe bravo të qoftë që jeton dhe nuk kemi asnjë problem, nuk arritët ju sikur të mblidhni nga 100 mijë lekë për t’i mbyllur çatinë e atyre dy dhomave? Këtë nuk mund të ma thuash…Unë po të bëj edhe një pyetje tjetër që besoj po më dëgjojnë edhe djemtë tuaj. Djemtë tuaj që jetojnë për bukën e gojës, sepse e thatë ju këtu, i mban bota me bukë dhe kjo nuk është e vërtetë. Po nuk punove nuk të mban njeri me bukë. Por si e kanë bërë vilën 3 kate? Si mund të bëjë një njeri për bukën e gojës vilë tre kate dhe të jetosh vetëm ti, gruaja dhe një djalë beqar. Kjo zonja që mban mbiemrin tënd, kjo nuk e ka ndryshuar mbiemrin, kjo nuk ka marrë burrë më, kjo ka vazhduar të jetë nusja e familjes tënde. Dhe unë besoja se ti do të thoje, këtë e kam mbi vajzë. Vajzat e mia, nuk i kam si Sanija. Flas me pasion dhe me një dashuri të veçantë për këtë grua, sepse kjo është një zonjë e rrallë. Nuk e bën njeri Nazmi, dëgjo Enin këtu sot dhe patjetër që e di, kush rri sot në këtë botë që jetojmë ne 12 vjet pa burrë, të të mbajë dy fëmijët e djalit tënd, të të respektojë me aq sa ka mundësi? Ka mbajtur me dinjitet të lartë mbiemrin e familjes tënde dhe ajo është nusja e djalit tënd. Unë prisja që nga fillimi deri në fund, të më thoje zonjë, nuk i kam të tjerët, kam vetëm këtë dhe dy fëmijët, se djali më ka vdekur dhe këtë e kam vajzë e mbi vajzë. Këtë nuk ma the në gjithë seancën.
Tani se kanë bërë faj ata të prokurorisë, gjykatës, firma, patjetër që kanë bërë gabim, dhe atë gabim do ta rregullojë ligji. Sanija gjeti derën e duhur dhe erdhi te kjo zonja. Unë do të bëj të pamundurën, jo vetëm për Sanijen dhe fëmijët, por për të gjithë ata që vuajnë këto mentalitete dhe të tilla jetë që ne po i përcjellim dhe po i transmetojmë nëpërmjet këtij televizioni. Zotëri është nusja e djalit tënd, nuk është bota. Ajo është heroinë, do apo nuk do ti.
Sanije, që nga ky moment, me indinjatën më të thellë, i drejtohem kolegëve të mi, të gjithë atyre që kanë pasur për detyrë, që në momentin që është paraqitur një rast i tillë, të tregonin profesionalizëm të lartë, kanë bërë atë vendim, por ka qenë e pavend mosvazhdimi nga ana juaj, atëherë ne sot kemi vetëm një mundësi. Do të rihapim një gjyq, ato firma që ka kërkuar atëherë ai zotëria, se atë e ka ditur ai, për fat ti nuk e ke bërë. Sot fëmijët e tu legjitimohen për të hapur gjyqin për dëmshpërblimin civil, që u takon në emër të humbjes së jetës së babait të tyre, gjatë orarit të punës brenda këtyre dy shoqërive. Tani meqenëse do të hapet ky proces, do merret edhe vendimi i prokurorit, edhe thëniet e atyre dy zotërive dhe do të shikojmë kush ka qenë shkaku i vdekjes dhe aksidentit të këtij djali dhe kush ka qenë arsyeja që prokurori i rrethit gjyqësor Tiranë e ka bërë mosfillim çështje sepse nuk ka parë elementë të veprës penale nga e shoqërisë. Por gabimin kush e bën gjithmonë, ai që vdes. Jo. Gabimin e bën ata që janë gjallë dhe shkaktojnë vdekjen e atyre që vdesin. Kështu që ne, do të shkojmë deri në fund aksidentit, ndodhjes së aksidentit dhe do ti japim kësaj zonje, pak nga ajo që i takon shumë, por unë kaq mundësi kam. Popullit shqiptar i them hap mendjen, hap sytë, trajtojini këto nuse si vajzat tuaja se jetën e mbyllni me këto. Vajzat shkojnë në shtëpitë e tyre. Këto janë ato që ju japin gotën e fundit, deri në fund të jetës tuaj.
Në fund, Nazmiu pranon që pronën që ka do të përpjestojë në 8, duke përfshirë edhe veten e tij.
Eni Çobani: Pra ti do ta ndash gjithmonë në 8, je dhe ti në të… Bravo, ky është një gjysh shqiptar, tipik, shumë mirë… Unë nuk di ça të them zoti Nazmi. Morëm një premtim që është kjo pjesë e pasurisë që burrit tënd i takon, do të pjesëtohet për tetë, të paktën do të marrësh edhe një pjesë me letra, për djalin tënd./Tv Klan/