FBI ka nisur punën për trajnimin dhe skanimin që do u bëhen burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Në një intervistë televizive, Saimir Tahiri foli se ku do të konsistojë kjo marrëveshje. “Sa i takon marrëveshjes me FBI-në pra me Drejtorin e FBI-së, edhe kjo shënon një moment kyç në marrëdhëniet ndërmjet Policisë shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioneve në tërësi dhe punës që duhet të bëjmë bashkërisht më FBI-në për luftën kundër terrorizimit, luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht luftën kundër korrupsionit. Është hera e parë që nënshkruhet një marrëveshje dhe një protokoll i tillë, që ngushton mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet nesh dhe FBI-së nga njëra anë, dhe nga ana tjetër na vë në pozitën për të luftuar bashkërisht dhe për të arritur rezultate të përbashkëta. Një oficer i FBI-së do të vijë dhe do të ulet në zyrat tona në mënyrë permanente, në mënyrë që të ndihmojë Policinë shqiptare me hetimet dhe ndërkohë FBI-ja merr përsipër trajnime dhe forcimin e kapaciteteve të Policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.
Ai nuk mohoi këtu edhe nisjen e procesit të përzgjedhjes së elementëve të policisë dhe të prokurorisë për në Byronë Kombëtare të Hetimit. “Kemi filluar nga procesi i njohjes paraprake të burimeve njerëzore për të vazhduar pastaj me skanimin dhe procesin e “vettingut” siç quhet, që do të thotë njohja e burimeve njerëzore, verifikimi i të kaluarës së tyre, i aktivitetit, i kapaciteteve profesionale dhe pastërtisë së figurës, përfshirë dhe makinën e të vërtetës. Por bashkëpunimi me FBI-në, siç është parashikuar në marrëveshje shkon përtej Byrosë Kombëtare të Hetimit për forcimin e kapaciteteve të Policisë në tërësi dhe për krijimin e njësive të veçanta që do të duhet të ndihmojnë në luftën tonë kundër korrupsionit krimit të organizuar dhe veçanërisht terrorizmit. Pra nuk kufizohemi vetëm te Byroja Kombëtare e Hetimit, por kemi marrë mbështetjen e FBI-së për të shkuar përtej dhe për të ndihmuar kapacitetet e Policisë në tërësi”, tha ai.