Politikë

Basha:Makinat e ushtrisë shpërndanë para në Peshkopi, Rama do përplasje…


               Publikuar në : 21:43 - 26/06/19 |
Opi Nion

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se Ministrja e Mbrojtjes ka përdorur në Peshkopi makinat ushtrisë me targa false për të shpërndarë para që qytetarët të dalin e të votojnë më 30 qershor.

Basha tha se shefi i policisë Robert Aga, i cili sipas tij, bashkëpunon me PS për të blerë vota, duhet të ishte në burg pasi akuzohet për trafik droge.

Krydemokrati tha se skenari i kryeministrit Edi Rama nuk janë zgjedhjet, por përplasja civile.

“Ministrja e Mbrojtjes sot ka qënë në Peshkopi me makina ushtrie me targa fallco private për të shpërndarë para për të dalë në zgjedhje. Edhe Ministrja po bën atë që bëri bashkëshorti i saj, i kapur në përgjimet e Bild, bashkëshorti që i shpëtoi dekriminalizmit duke mos kandiduar më. I gjithë procesi në Peshkopi po drejtohet sërish nga Robert Aga, shefi i policisë që bashkëpunon me krimin e organizuar. Robert Aga duhet të ishte në burg për trafik droge dhe bashkëpunim me krimin për vota. Dhe do të shkojë shpejt. Të gjithë kriminelët e përgjimeve të Bild janë prapë duke bërë të njejtën gjë, duke kërcënuar dhe blerë vota. Tashmë është e qartë ajo që kemi paralajmëruar: skenari i vërtetë i Edi Ramës nuk është të bëjë zgjedhje me 30 qershor, por ta përdorë 30 qershorin për përplasje civile. Dhuna është shpëtimi i tij për të mos dalë para drejtësisë për bashkëpunimin me krimin dhe grabitjen e vendit. Ndaj, ai ka një skenar kriminal që 30 qershori të kthehet në përplasje civile dhe në një ditë të dhunshme. Në të gjitha qytetet kryesore të vendit, Edi Rama po përdor kriminelë dhe të forte për të detyruar qytetarët të dalin në votime. Figurat e krimit do të përdoren si ushtri private mercenare më 30 qershorpër të detyruar njerëzit të votojnë nën presion. Ata do të përdoren për të krijuar përplasje me qytetarët. Ata do të përdoren për të bërë dhunë kundër qytetarëve. Ky është një skenar i rrezikshëm, që do të dështojë. Ne do t’i bëjmë qëndresë dhunës së Edi Ramës. Do të bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë. Edi Rama po dhunon lirinë dhe të drejtat e njerëzve. Edi Rama po përdor sërish krimin ndaj njerëzve. Dhe njerëzit kanë të drejtë të mbrohen”,-tha Basha./ Opinion.al E.Xh.

Pas