Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se ai është shkaktari kryesor i varfërisë në vend.
“Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht klientësh” shkruan Basha.
Në një postim në Facebook, Basha ka publikuar një video-mesazh ku tregon se qeveria në gjashtë vite ka shpenzuar 32.5 milionë euro për bileta avioni ndërkohë që sipas tij 290 mijë shqiptarë nuk plotësojnë dot nevojat për ushqim. Basha akuzon gjithashtu se zyra e kryeministrit ka kapur vlerën 5.5 milionë euro.
“Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar nga Edi Rama këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e tij ose janë shpërdoruar për tekat e tij në fasada dhe luks, ndërsa shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e përditshme” deklaron kreu i PD.
Në videon e publikuar Basha ka treguar gjithashtu rastin e një qytetari i cili thotë se ka shitur gjak për të siguruar para për të blerë ushqim për familjen. /Opinion.al