Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur mbrëmjen e së enjtes në një intervistë në emisionin “Opinion”, ku ka prekur edhe çështjen e naftëtarëve të Ballshit. Ndërsa foli për elementë korrupsioni në historinë e rafinerisë, Basha tha se me ardhjen e PD-së në pushtet, do të hetohet jo vetëm qeverisja socialiste, por edhe ajo e mëparshme.
“Ky është një element korrupsioni që nën qeverisjen time nuk do të kursejë asnjë, as në këtë qeverisje dhe as në atë para saj”, tha Basha.
Duke folur për pagat e prapambetura të naftëtarëve, kryedemokrati tha se për të mbuluar një muaj paga do të mjaftonte vlera e një stolie të një nga ministrat e qeverisë.
“ Rasti i naftëtarëve është një simptomë më e vjetër, ku korrupsioni ka arritur në elementë të paimagjinueshëm. Imagjinoni që vetëm një stoli e një ministri të qeverisë do të mjaftonte për të mbuluar pagat e tyre për një muaj. Një pasuri që i takon shqiptarëve dhe një komuniteti, që është shfrytëzuar në mënyrën më çnjerëzore. Në kurriz të këtyre njerëzve janë paguar 2 apo 3 individë dhe paguajnë gjithë shqiptarët”./Opinion.al