Ora 22:05 –Lulzim Basha: Vëllezër dhe motra, qindra dhe mijë prej jush në këtë protestë sollën me vete energjinë, shpresën dhe besimin tek e nesërmja që po lind. Mesazhi i qartë dhe i prerë është se Edi Rama dhe banda tij ta harrojë se mund ta mbajë pushtetin me dhunë duke dhunuar qytetarët. Edi Rama dhe banda e tij, ta harrojnë shqiptarët nuk do ta pranojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. Në bëmë gjithçka që asnjë punonjës i rendit, e se kam fjalën për horrat që hedhin gazin, sepse uniformën e shtetit Rama e ka vënë në shërbim të krimit. Nga dhuna e policisë janë plagosur disa protestues, po i them sot Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt se do mbajnë përgjegjësi para ligjit, përpjekja juaj për ti faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do të marrë përgjigje të merituar. Është mahnitëse për një popull të tërë të bashkuar kështu, të vendosur në mënyrën më të qartë dhe të prerë për vlerën më evropiane pa të cilën nuk ka Europë por vetëm despotizëm lindor për të shkatërruar njëherë e mirë zgjedhjet institucionet dhe për të qeverisur si kryehajdut. Ne nuk hedhim asnjë hap pas, e sotmja është dita e fundit ku iu drejtohem atyre që kanë arsye në kupolën e socialistëve. Koha e fjalëve po mbaron, në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani. E gjitha bota e di, që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit.
Ora 21:55 –Ambasada britanike: Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht. Nuk ka vend për dhunë dhe objekte shpërthyese në një protestë paqësore. Liderët e protestës kanë përgjegjësinë për të garantuar demonstratë paqësore, kurse policia ka përgjegjësinë për të garantuar ruajtjen e rendit publik. Për të mirën e kujtdo, duhet të ketë protestë paqësore dhe të sigurt
Ora 21:50 – Një protestues humbet ndjenjat. Dërgohet drejt spitalit me autoambulancë për të marrë ndihmën mjekësore
Ora 21:45– Sandër Lleshaj: Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit.
Ora 21:40 –Policia vijon thirrjet me megafon te Parlamenti, drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës, duke kërkuar ruajtjen e qetësisë.
“Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla, tymuese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Hedhja e kapsollave, sendeve te forta dhe lëndëve piroteknike po rrezikon jetën e punonjësve të Policisë. Të nderuar organizatorë të tubimit: I nderuar zoti Lulzim Basha dhe z. Gazmend Bardhi Merrni masa të menjëhershme që protestuesit të ndërpresin veprimet e dhunshme. Po dëmtoni e rrezikoni jetën e punonjësve të policisë. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve te forta në drejtim të Policisë”.
Ora 21:25 –Vazhdon të jetë e tensionuar situata përpara Parlamentit. Protestuesit sulmojnë policinë me fishekzjarrë, ndërsa si kundërpërgjigje kanë marrë gaz lotsjellës .
Ora 21:05 –Plagoset një prej protestuesve në hyrje të Parlamentit, nga ku po hidheshin kapsolla dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë. I plagosuri u dërgua drejt ambulancës nga protestuesit e tjerë. Protestuesit pretendojnë se u qëllua me plumb nga policia, pasi në vend kishte shenja gjaku.
Ora 21:00 – Ministri Lleshaj: I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!
Ora 20:55 – Policia bën thirrje që personat e maskuar të largohen nga protesta dhe të ruhet qetësia.
Ora 21:50 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve.
Ora 21:42 – I pranishëm te Parlamenti, përveç kreut demokrat Basha, është edhe Sali Berisha dhe ish-deputetë të tjerë të PD.
Ora 20:40 – Protestuesit zhvendosen te Parlamenti. Menjëherë kanë nisur prishjen e gardhit metalik që ishte vendosur para Parlamentit. Kordoni i parë i policisë është tërhequr pas. Nis hedhja e kapsollave.
Ora 20:25 –Pas përfundimit të fjalës së kryetarit të PD-së dhe pas thirrjes së tij, turma e madhe e protestuesve ka nisur zhvendosjen për të protestuar siç është bërë zakon dhe para Parlamentit.
Ora 20:20 –Lulim Basha: Nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë errësirën e tiranisë së krimit, nuk mund të pranojmë kurrë monizmin, procesin kriminal që po u ofrohet shqiptarëve në vend të zgjedhjeve të lira e të ndershme. E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera evropiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Evropës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Evropës do ta hapim. Rama ik! Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojrat e Edi Ramës po merr fund. Kufoma politike që I dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti I krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht. Çdo orë që kalon e bën edhe më të domosdoshme një zgjidhje politike, e vetmja rrugë është Rama ik! Edi Rama është futur në vrimën e miut. Po afron dita e bekuar kur ata t’ju kthejnë kokën t’ju shohin në sy, e që çliruat Shqipërinë. Tani koha e fjalëve të tepërta ka mbaruar. Mesazhet tona janë të qarta, vendosmëria juaj flet qartë në këtë shesh deri sa ta largojmë tiraninë e krimit. Deri sa ti hapim rrugë gjithë Shqipërisë. Ta zgjidhim këtë politikisht një orë e më parë, në të kundërt e gjithë përgjegjësia do të jetë për Edi Ramën dhe atë grusht horash që duan të mbajnë peng Shqipërinë.
Ora 20:10 –Lulzim Basha iu ka bërë thirrje protestuesve që të mos prekin me dorë asnjë nga efektivët që ishin vendosur në gardhin për të rrethuar Kryeministrinë.
“E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk pranojmë monizmin, nuk pranojmë Edi Ramën të mbajë përgjithmonë të mbyllur derën e Europës. Mos prekni asnjë oficer policie, mos i prekni me dorë sepse hiq dy a tre servilë të inkriminuar mendjet e tyre mendojnë, unë i njoh këta burra dhe gra, kemi mundur drogën kemi hequr vizat“, tha Basha.
Ora 20:05 –Tensionohet situata para Kryeministrisë. Disa protestues kanë hedhur breshëri me kapsolla në drejtim të godinës së kryeministrisë, ndërsa nuk ka munguar dhe as boja e zezë.
Ora 19:50 –Lulzim Basha: Ky bashkim është bashkimi i shqiptarëve të dhunuar, në nëpërkëmbur të mashtruar të dhunuar nga një bandë kriminale dhe nga një kryebandit që është në krye. Rama ik! Thuajeni ta dëgjojë gjithë bota. Sot endet nëpër Shqipëri kufoma politike, Edi Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votën e shqiptarëve me banditët. Sot ai duhet të ishte para drejtësisë, sot ai duhet të jepte llogari për vjedhjen e pushtet që ia u morri ju, e që do të merrni mbrapsht.
Ora 19:40 – Kreu i PD, Lulzim Basha, i rrethuar nga të rinjtë e FRPD, iu bashkua qytetarëve në protestën para Kryeministrisë.
Ora 19:30 – Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI mungon gjatë protestës së 7 të opozitës. Sipas ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili zonja Kryemadhi është nisur për një vizitë jashtë vendit. Vasili nuk pranoi të tregojë detaje se ku ndodhet kryetarja e LSI, ndërsa tha se “Ajo do komunikojë me ju për këtë çështje”. Po ashtu mësohet se Basha pas protestës do të udhëtojë të hënën në mëngjes drejt Berlinit për të zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të partisë së kancelares Angela Merkel.
Ora 19:15 – Prej më shumë se një ore, Basha është duke qëndruar në zyrën e tij në selinë e PD, nga ku mësohet se është takuar me eksponentë të ndryshëm të PD.
Ora 19:10 – Për të siguruar qetësinë e protestës, mësohet se në terren do të jenë edhe 250 të rinj të FRPD, të cilët mbajnë në krah shirita për t’u identifikuar.
Ora 19:00-Qytetarët janë mbledhur para Kryeministrisë për protestën e radhës kombëtare të opozitës. Deri tani duket të rinjtë me tullumbace në dorë ku shkruhet “Ik”.
Po ashtu disa të rinj mbajnë në duar “yjet” e flamurit të Bashkimit Europian. Sipas PD-së, vetëm kreu Lulzim Basha do të mbajë fjalim në këtë protestë.
PD: 65 mijë qytetarë nga rrethet në Tiranë për protestën
Për protestën e kësaj të diele, sipas Partisë Demokratike, në Tiranë kanë mbërritur rreth 65 mijë qytetarë. Njësoj si që nga 16 Shkurti, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, sipas tyre.
Qarku Durrës – 9850 qytetarë
Qarku Kukës – 4100 qytetarë
Qarku Shkodër – 9600 qytetarë
Qarku Dibër – 3550 qytetarë
Qarku Lezhë – 7400 qytetarë
Qarku Korçë – 4600 qytetarë
Qarku Berat – 3050 qytetarë
Qarku Fier – 5800 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2400 qytetarë
Qarku Elbasan – 8200 qytetarë
Qarku Vlorë – 5250 qytetarë
Basha para protestës: Vetëm vota e lirë sjell një qeveri për njerëzit
Dy orë përpara nisjes së protestës së 7 kombëtare tek Kryeministria, kreu i opozitës Lulzim Basha ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës për të bërë të mundur sipas tij, çlirimin e vendit nga një qeveri e korruptuar, që vendos kundër interesave të tyre.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, lideri i opozitës jep disa mesazhe të rëndësishme jo vetëm për keqqeverisjen e tanishme sipas tij, por edhe si duhet të jetë qeveria e shqiptarëve, pasi të fitohet beteja për zgjedhje të lira e të ndershme.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2473285596232669/
“Asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja”- shprehet i vendosur kreu i opozitës, i cili fton qytetarët në orën 19.00 në protestë, duke renditur edhe arsyet për t’iu bashkuar protestës.
“Vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që punon për njerëzit! Për mirëqenie! Për punësim! Për zhvillim! Vetëm standardet dhe demokracia, do të hapin rrugën tonë drejt Europës!”- thuhet në mesazhin e liderit të opozitës Lulzim Basha.
Policia merr masat për protestën e opozitës, mbi 1500 efektivë në terren
Sot opozita zhvillon protestën e shtatë kombëtare përpara kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 19:00, dhe ndërkohë policia ka marrë masat për të qenë në gatishmëri për sigurimin e mbarëvajtjes së saj. Sipas burimeve zyrtare, numri i forcave policore do të jetë mbi 1500 efektivë, ku përfshihen edhe forcat speciale dhe ato operacionale.
Megjithëse itinerari i protestës nuk është bërë i ditur, pritet që ata si fillim do të mblidhen përpara Kryeministrisë. Partia Demokratike ka bërë një kërkesë në drejtorinë e policisë për të zhvilluar një marshim nga ora 19:00 deri në mesnatë. Megjithatë autoritetet kanë dhënë leje që protesta të zhvillohet vetëm para godinës së Kryeministrisë tek bulevardi “Dëshmoret e Kombit” dhe deri në orën 21;00. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, edhe këtë të dielë policia ka instaluar pranë godinës së Kryeministrisë eParlamentit kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar protestuesit që shkelin ligjin. /Opinion.al