Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi në selinë blu aleatët e opozitës për të diskutuar me ta marrëveshjen e arritur mes tij dhe kryeministrit Rama për zgjedhjet e 25 qershorit.
Mësohet se kreu i demokratëve ka propozuar idenë e daljes nën një sigël në garën elektorale, duke i premtuar kryetarëve të partive parlamentare përfaqësimin në listat e Partisë Demokratike.
Por, ky propozim i Bashës ka sjellë dhe reagimin e parë nga radhët e aleatëve. Demokristiani Nard Ndoka e cilësoi marrëveshjen goditje për pluralizmin dhe partitë e vogla, por njëherazi tha se kreu i opozitës ka qenë i detyruar për ta pranuar atë.
Ndërsa Argon Duka i PPA-së se fshehu dëshirën për të garuar në 25 qershor me siglën e partisë së tij.
Takimi me aleatët vjen pas atij që Lulzim Basha zhvilloi edhe me krerët e degëve në rrethe, të cilëve u ka kërkuar propozime për listat e kandidatëve për deputetë si dhe mobilizim për fushatën elektorale.