Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të premten, ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të PD-së në kuadër të riorganizimit të kësaj force politike, e cila pritet të mbledhë Kuvendin Kombëtar në fund të muajit prill.
Mësohet se kreu i PD-së, u ka kërkuar drejtuesve të degëve që pavarësisht këtij procesi; mos të shkëpusin vëmendjen nga elektorati. Ndërkaq, një tjetër porosi e Bashës për drejtuesit e degëve të PD-së është edhe rifreskimi i anëtarësisë.
Ai ka kërkuar që në procesin e riorganizimit të gjithë duhet të kenë hapësirën e nevojshme për të bërë propozime, si dhe duhet të shikohet me rigorozitet vlerësimi i kontributeve.
Ditë më parë, Basha mblodhi Kryesinë e PD-së, e cila përcaktoi edhe datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe ngritjen e një grupi pune, që do të mbledhë propozimet për ndryshimet në statutin e kësaj partie.
Basha ka kërkuar nga drejtuesit e degëve që të jenë të pranishëm të gjithë në Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike./Opinion.al