Kryesore

Basha flet për përpjekjet për ndërmjetësim dhe strategjinë në shtator


               Publikuar në : 22:35 - 22/08/19 |
Al Do

Situatën e krijuar në Shqipëri nga qeverisja e Edi Ramës, kreu i opozitës Basha e ka konsideruar si të papritur edhe për vendet anëtare të NATO-s. Ai nënvizoi në një intervistë televizive se në Shqipëri është shkatërruar institucioni i zgjedhjeve të lira. Por Basha theksoi se qëllimi i opozitës është që shqiptarëve tu garantohet lira e zgjedhjes.

“Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Por s’i kishte shkuar mendja asnjë anëtari të NATO-s se rotacioni do të prodhonte një qeveri kaq të keqe që do të rikthente probleme të varrosura dhe do t’i shumëfishonte ato. Ky është problemi që kanë sot aleatët tanë, që papritur në një vend, i cili është anëtar i NATO-s, është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, shfaqen tipare të një qeverisjeje që nuk kanë të bëjnë fare as me Evropën e as me NATO-n, që prodhon papunësi, që prodhon stanjacion, që shkatërron mundësitë e njerëzve të thjeshtë, për t’i dhënë gjithë pushtetin, gjithë pasuritë, gjithë mundësitë Edi Ramës dhe një grushti oborrtarësh të tij. Kjo ka ndodhur për një arsye shumë të thjeshtë, sepse është shkatërruar themeli i bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira, sepse gjithçka fillon tek zgjedhjet e lira.

Me zgjedhje do mundet edhe Edi Rama, por çështja është tu garantohet shqiptarëve liria e zgjedhjes. Beteja për tu garantuar shqiptarëve votën e lirë është betejë edhe për nesër, nuk është betejë të ikë tani Edi Rama e të vij unë apo një tjetër. Nëse nuk e bëjmë këtë betejë, dhe në parlamentin e ardhshëm vijnë prapë elementë kriminalë apo të lidhur me botën e krimit, edhe qeveria e ardhshme do t’u shërbejë kriminelëve dhe jo shqiptarëve”, deklaroi Basha.

Ai foli edhe për strategjinë që do të ndjekë opozita duke filluar nga shtatori duke paralajmëruar vazhdimin e protestave.

“Shtatori po vjen, do të vazhdojmë betejën tonë, me të gjitha format dhe mënyrat. Duke bindur çdo faktor se rruga përpara është ajo e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore, duke bashkuar të gjithë shqiptarët e ndershëm në një betejë që shkon përtej sinorëve politike të opozitës, por shkon drejtpërdrejt tek pragu i shtëpisë së çdo shqiptari” u shpreh Basha.

Sa i përket zgjidhjes së krizës nga faktorë të tretë Basha deklaroi se Partia Demokratike ka qenë e hapur për një ndërmjetësim të ndërkombëtarëve por siç tha ai “refuzuesi për ndërmjetësim ka qenë Edi Rama”.

Në lidhje lajmin se ka patur një përpjekje nga biznesmenë vendas për të ulur Bashën dhe Ramën në një tavolinë, kreu i opozitës e mohoi diçka të tillë.

“Nuk ka guxuar njeri të më sjellë oferta të tilla” tha Basha. /Opinion.al

Pas