Pas takimit të sotëm të Këshillit Politik, Gazmend Bardhi, në emër të opozitës së bashkuar, u shpreh se PS po kërkon të rihapë çështje, që u nënshkruan nga të gjitha palët politike në marrëveshjen e 5 qershorit.
Bardhi thekson se në mbledhje i është kërkuar Ramës informacion mbi angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 qershorit.
“Për 6 muaj, këshilli politik ka qenë në një punë të vijueshme për çështje që lidhen me zgjedhjet. Më 5 qershor është nënshkruar një marrëveshje dhe ne sot iu kërkuam informacion kryetarit të PS mbi angazhimin e tij se kur do të ndodhë miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit. Nuk morëm një përgjigje për këtë.
Dua të konfirmoj se ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit. Nga ajo marrëveshje të gjitha palët nuk morën gjithçka kërkuan, por u mbështet nga partnerët tanë strategjik, sot na u konfirmua se duhet të rihapim çështje të marrëveshjes së 5 qershorit. Nuk mundemi ta bëjmë këtë. Na u pohua se PS kërkon të rihapë çështje që kemi rënë dakord. Çështja e marrëveshjes së 5 qershorit është kusht për procesin e integrimit. Ka një apel të të gjithqë faktorit ndërkombëtar për të ruajtur dhe mos prekur këtë marrëveshje. Ajo që na u pohua në takim për ne është e papranueshme”, deklaroi Bardhi./Opinion.al